Verona përmbys Bologna-n në transfertë, Fiorentina dhe Parma ndahen në barazim
Java e 28-të e Serie A solli emocione në dy ndeshje të rëndësishme të kampionatit italian. Verona arriti një fitore të madhe në transfertë ndaj Bologna-s, ndërsa Fiorentina dhe Parma u ndalën në një barazim pa gola.
Në stadiumin ‘Renato Dall'Ara’, Verona fitoi 2-1 pas një përmbysjeje të shpejtë në pjesën e dytë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 49-të nga Jamie Rowe, i cili kaloi në avantazh Bologna-n. Megjithatë reagimi i skuadrës mike ishte i menjëhershëm.
Në minutën e 53-të Martin Frese barazoi shifrat me një goditje të bukur fluturimthi me të majtën. Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 57-të, David Bowie përmbysi gjithçka duke shënuar golin e fitores pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Gift Orban. Në gjysmën e orës së fundit Bologna u përpoq të barazonte, por nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës.
Me këtë sukses Verona shkon në kuotën e 18 pikëve dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Bologna mbetet në vend me 39 pikë.
Ndërkohë, në stadiumin “Artemio Franchi”, Fiorentina dhe Parma nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0. Skuadra e drejtuar nga Paolo Vanoli, pa Moise Kean dhe Manor Solomon në dispozicion, pati vështirësi të mëdha në fazën sulmuese.
Edhe pse ndeshja ishte e varfër në raste, Parma rrezikoi në kundërsulm me Gabriel Strefezza-n, por pa arritur të shënonte. Në fund të dy skuadrat u kënaqën me nga një pikë: Fiorentina ngjitet në 25 pikë, ndërsa Parma arrin në 34.