Katër humbje radhazi për Tiranën, mposhtet në shtëpi nga Elbasani, Bylisi fiton me Vorën
Tirana nuk arriti të marrë pikë as në fushën e saj, duke u mposhtur 1-0 nga Elbasani në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Bardheblutë, që në këtë ndeshje drejtoheshin nga trajneri Orges Shehi, vazhdojnë të kalojnë një moment të vështirë në kampionat.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 44-t. Sulmuesi Ze Gomes përfitoi nga një moment shpërqendrimi i mbrojtjes së Tiranës dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin ekipit elbasanas. Pas golit pati festë të madhe nga tifozët miq, ndërsa në stadium u desh edhe ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.
Në pjesën e dytë Tirana pati një rast të artë për të barazuar. Në minutën e 57-të bardheblutë humbën një mundësi të pabesueshme: fillimisht Ermal Tabeku nuk arriti të godiste si duhet, ndërsa më pas tentativa e Florent Mehmetit u ndal nga traversa, duke u mohuar vendasve golin e barazimit.
Minutat e fundit të sfidës sollën edhe një moment shqetësues. Midis minutës së 86-të dhe kohës shtesë, Elbasani mbeti me 10 lojtarë, pasi Bruno Lulaj u dëmtua pas një përplasjeje të fortë me portierin Antonín Janáček dhe nuk mundi ta vazhdonte lojën.
Në fund rezultati mbeti 0-1 për Elbasanin. Pas kësaj humbjeje, Tirana mbetet në zonën e ftohtë të renditjes me 21 pikë, ndërsa Elbasani vazhdon të forcojë pozitat e saj në garën për ‘Final Four’, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë.
Fitore shumë e rëndësishme edhe Bylisit përballë një rivali direkt si Vora, në garën për t’iu shmangur zonës së ftohtë dhe play off-it. Ekipi vendës fitoi minimalisht me gol të Adepoju në minutën e 88-të. Me këtë suksës, Bylisi parakalon pikërisht Vorën në renditje.