PD Gjirokastër denoncon situatën skandaloze në fshatin Lazarat, Rabi: Rrezik për qytetarët, asnjë masë nga Bashkia

Fshati Lazarat prej më shumë se 3 muajsh vazhdon të jetë i izoluar. Rrugët brenda fshatit, por jo vetëm, jo vetëm që janë të amortizuara prej vitesh, por tashmë janë edhe të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe inertet, duke e bërë lëvizjen pothuajse të pamundur për banorët.

Ndërkohë, Bashkia Gjirokastër nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të ndërhyrë. Rruga dytësore hyrëse për në fshatin Lazarat, në vendin e quajtur Përroi i Spilos, vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa banorët detyrohen të kalojnë çdo ditë duke rrezikuar jetën e tyre.

Kjo neglizhencë është e pajustifikueshme, sidomos kur Bashkia Gjirokastër përfiton çdo vit tendera me vlerë rreth 121 milionë lekë për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Megjithatë, në terren nuk shihet asnjë investim dhe askush nuk jep llogari se ku përfundojnë këto para publike.

Bashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, vazhdon të braktisë dhe të diskriminojë hapur fshatin Lazarat, duke e lënë këtë komunitet të përballet i vetëm me izolimin dhe rrezikun e përditshëm.