SYRI TV/ Shembet rruga Ura e Mirakës - Polis Gureshpatë, 2 milionë euro të shpenzuara dëm

Shembet një tjetër rrugë në qarkun e Elbasanit, e cila ka kushtuar rreth 2 milionë euro për tu ndërtuar. Bëhet fjalë për rrugën Ura e Mirakës – Polis Gureshpatë, e cila prej dy muajsh në një pjesë të saj është shembur, duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve.

Denoncimi për këtë rrugë u bë nga deputeti demokrat Blendi Himçi, i cili akuzoi institucionet se nuk kanë vendosur as sinjalistikë për të njoftuar drejtuesit e mjeteve mbi rrezikun që paraqet rruga.

SYRI TV

Kjo është  rruga Ura e Mirakës – Polis Gureshpatë, e cila lidh disa fshatra të Librazhdit. Siç shihet nga pamjet, rruga, e ndërtuar vetëm dy vjet më parë është shembur në një pjesë të segmentit të saj.

Rruga, e cila ka kushtuar 2 milionë euro për tu ndërtuar, ka rreth 2 muaj që është shembur, por deri më tani asnjë nga institucionet nuk ka marrë masa jo vetëm për të riparuar pjesën e dëmtuar, por as nuk kanë vendosur sinjalistikë për të njoftuar drejtuesit e mjeteve mbi rrezikun që paraqet kjo rrugë.

Ky skandal është denoncuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, i cili u shpreh në një videomesazh se shkarja e rrugës rrezikon të bllokojë disa fshatra.

Më tej deputeti demokrat theksoi se shembja e rrugës ka nxjerr në pah punimet e dobëta që janë kryer për ndërtimin e saj.

Blendi Himçi e ka cilësuar edhe këtë rrugë shembull të korrupsionit, ndërsa edhe ky segment i shtohet listës së gjatë të rrugëve të shembura gjatë muajve të fundit, që sipas të dhënave të emisionit Plug, kanë kushtuar më shumë se 1.1 miliardë euro.