'Gratë nuk duan fjalë, por mundësi'/ Tabaku: Punë dhe paga dinjitoze për çdo grua shqiptare
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 Marsit, duke theksuar veçanërisht gratë sipërmarrëse dhe nënat që kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ajo ka theksuar se kjo ditë nuk duhet të mbetet vetëm tek urimet, por duhet të shoqërohet me vepra, duke rikujtuar sfidat që gratë përballen në tregun e punës, ku vetëm rreth 62% e grave janë të punësuara krahasuar me 75% të burrave.
“Gratë nuk kanë nevojë për më shumë fjalë, por për më shumë mundësi, punë dhe paga dinjitoze,” thekson Tabaku.
Postimi i plotë:
Gëzuar 8 Marsin!
Në këtë ditë të shënuar dhe të bukur dua t’u uroj të gjitha grave dhe vajzave shqiptare një 8 Mars të lumtur. Një urim të veçantë për gratë sipërmarrëse dhe për ato nëna e edukatore që me përkushtim, mund dhe zemër kujdesen çdo ditë për fëmijët e spektrit autik dhe sindromës Down. Puna juaj është një shembull i jashtëzakonshëm force, dashurie dhe përkushtimi – një frymëzim për të gjithë ne.
Por kjo ditë nuk mund të mbetet vetëm te urimet dhe lulet. Fjalët duhet të shoqërohen me vepra.
Sot, shumë gra në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida reale në tregun e punës. Vetëm rreth 62% e grave janë të punësuara krahasuar me rreth 75% të burrave, ndërsa pjesëmarrja e tyre në tregun e punës mbetet dukshëm më e ulët.
Kjo do të thotë më pak mundësi ekonomike, më pak pavarësi dhe shpesh më shumë pasiguri për familjen.
Prandaj 8 Marsi duhet të na kujtojë diçka shumë të thjeshtë:
Gratë nuk kanë nevojë për më shumë fjalë kanë nevojë për më shumë mundësi, për punë dhe për paga dinjitoze.
Sepse një shoqëri që respekton gratë është një shoqëri që ndërton të ardhmen.
Sot dhe çdo ditë, angazhimi ynë duhet të jetë që çdo vajzë dhe çdo grua shqiptare të ketë mundësinë të ndërtojë jetën e saj me dinjitet, siguri dhe barazi.
Gëzuar 8 Marsin!
Mirënjohje për forcën, sakrificën dhe kontributin e çdo gruaje shqiptare.