'Sot urime, por edhe reflektim për realitetin e grave në Shqipëri'/ Vokshi: 8 Marsi duhet të jetë një zë proteste kundër padrejtësive
Në një postim në Facebook, deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Albana Vokshi uroi gratë shqiptare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar rëndësinë e barazisë dhe drejtësisë sociale.
Vokshi nënvizoi sfidat që përballen gratë: paga të ulëta, emigrim i detyruar i vajzave dhe mungesë mbështetjeje nga shteti. Ajo shtoi se 8 Marsi duhet të jetë një ditë reflektimi dhe proteste për të kërkuar respekt, mundësi dhe drejtësi të barabartë për gratë shqiptare.
“Sot është dita për të uruar, por edhe për të reflektuar dhe për të kërkuar ndryshim,” shkroi Vokshi.
Postimi i plotë:
Sot, në 8 Mars, u uroj nga zemra çdo gruaje shqiptare Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas!
Por kjo ditë nuk është vetëm për lule dhe urime. Është edhe një moment reflektimi për realitetin me të cilin përballen çdo ditë shumë gra në Shqipëri.
Shumë nëna luftojnë për të mbajtur familjen me paga të ulëta, shumë vajza detyrohen të largohen nga vendi për të kërkuar mundësi që këtu nuk ua ofron askush, ndërsa shumë gra përballen çdo ditë me padrejtësi, pabarazi dhe mungesë mbështetjeje nga shteti.
8 Marsi duhet të jetë edhe një zë proteste kundër këtij realiteti. Gratë shqiptare meritojnë më shumë: më shumë respekt, më shumë mundësi dhe më shumë drejtësi.
Ne besojmë në një Shqipëri ku gratë nuk përdoren për propagandë një ditë në vit, por mbështeten dhe fuqizohen çdo ditë me politika reale dhe mundësi të barabarta.
Sot është dita për të uruar, por edhe për të reflektuar dhe për të kërkuar ndryshim. Sepse një shoqëri që nuk respekton dhe nuk fuqizon gratë e saj, nuk mund të ketë kurrë një të ardhme të drejtë.
Gëzuar 8 Marsin çdo gruaje shqiptare!