VIDEO-SYRI TV/ Banorët e Baks-Rrjollit sërish në protestë, në mbështetje aktivistë nga qytete të ndryshme

Në protestën e kësaj të shtune banorët e Baks-Rrjollit janë mbështetur nga aktivistë e qytetarë të tjerë nga Tirana, Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ata vijojnë me kundërshtitë për ndërtimin e resortit në zonë, pasi sipas tyre po u merren pronat padrejtësisht dhe në shkelje të ligjit.

Nga SYRI TV

Banorët e Baks-Rrjollit nuk i ndalin protestat e tyre. Edhe këtë të shtunë, dhjetëra banorë, kanë protestuar në vendin ku po ndërtohet resorti turistik, duke tentuar të bllokojnë makineritë e firmës ndërtuese.

Në këtë protestë banorët e Baks-Rrjollit janë mbështetur edhe nga aktivistë e qytetarë të tjerë të mbërritur nga Tirana, Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët bënë thirrje që prona të ruhet, pasi ky problem është prezent në të gjithë vendin.

Banorët e zonës vijojnë me thirrjet që të ndalen punimet për ndërtimin e resortit në zonë, pasi sipas tyre po u merren pronat padrejtësisht dhe në shkelje të ligjit.

Edhe këtë herë, banorët janë përballur me forcat e shumta të policisë, që prej kohësh janë dislokuar në këtë zonë, teksa punimet vijojnë pavarësisht kundërshtive dhe tensioneve të shumta.