VIDEO-SYRI TV/ Punonjësi i shërbimeve ra nga lartësia, lihen në burg përgjegjësit e ndërmarrjes
Nga SYRI TV
Më 3 mars, një ngjarje e rëndë u regjistrua në lagjen ‘Zinxhira’, në qytetin e Gjirokastrës, ku një punonjës i Ndërmarrjes së Shërbimeve në Komunitet u rrëzua nga kati i dytë i një objekti privat gjatë punës për pastrimin e godinës, e cila ishte sekuestruar nga banka.
Si pasojë e rrëzimit, ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Shtetit arrestoi tre persona të dyshuar si përgjegjës, të akuzuar për veprën penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.
Ndërkohë, drejtuesi i institucionit, shtetasi A. O., akuzohet për veprën penale ‘shpërdorim detyre’. Sipas burimeve, menjëherë pas ngjarjes ai është larguar drejt shtetit fqinj, Greqisë, dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, sot në gjykatë u zhvillua seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të arrestuarve. Sipas avokatit të çështjes, Çlirim Rabaj, prokurori Bledi Bala kërkoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për shtetasit P. C., dhe A. B., ndërsa për shtetasin A. L., kërkoi masën ‘arrest në shtëpi’.
Seanca u drejtua nga gjyqtarja Ermira Bushi, e cila vendosi të lërë në fuqi të njëjtat masa sigurie.