SYRI TV/ Boçova prej 10 vitesh pa qendër shëndetësore, vetëm një mjek për pesë fshatra
Prej afro 10 vitesh fshati Boçovë i Fierit, është pa një qendër shëndetësore funksionale dhe pa farmaci. Për çdo vizitë mjekësore banorët detyrohen të udhëtojnë drejt fshatit Bishan, ku një mjek mbulon plot pesë fshatra të zonës, ndërsa rastet urgjente detyrohen të shkojnë në Spitalin Rajonal të Fierit, duke përballuar distancën dhe kostot e transportit në kushte jo të mira shëndetësore.
Syri TV
Të moshuarit e Boçovës që përballen me sëmundjet, mjekun e gjejnë vetëm në Bishan ose në Fier. Prej afro një dekade, fshati Boçovë i njësisë administrative Levan, në Bashkinë Fier, është pa një qendër shëndetësore, pasi godina ka dalë jashtë funksionit.
Banorët thonë se për çdo vizitë mjekësore detyrohen të udhëtojnë drejt fshatit Bishan, ku një mjek mbulon plot pesë fshatra të zonës. Situata bëhet edhe më e vështirë në rastet urgjente, ku zgjidhja e vetme është Spitali Rajonal i Fierit, dhe banorëve u duhet të përballojnë distancën dhe kostot e transportit, shpesh në kushte jo të mira shëndetësore. Ata shprehen se mungesa e shërbimit pranë banesës i vendos përballë vështirësive të përditshme.
Banorët theksojnë se ndër vite u kanë kërkuar përfaqësuesve vendorë dhe kandidatëve për deputetë apo kryebashkiakë rikthimin e mjekut pranë komunitetit, por sipas tyre, kërkesat kanë mbetur pa përgjigje.
Një tjetër problem mbetet mungesa e farmacisë. Edhe për të marrë recetat apo medikamentet e përshkruara nga mjekët, banorët duhet të udhëtojnë deri në Fier, pasi në fshat dhe as në qendër të zonës nuk ka farmaci funksionale.
Dikur Boçova numëronte rreth 400 shtëpi me afro 1.200 banorë. Sot kanë mbetur rreth 70 shtëpi, ku pjesa më e madhe janë të moshuar, për të cilët mungesa e një qendre shëndetësore nuk është thjesht problem infrastrukture, por çështje jetike që kërkon zgjidhje urgjente.