SYRI TV/ 7 mln € për të shkatërruar stadiumin e Himarës - Fusha e vetme sportive shndërrohet në parkim

Stadiumi i vetëm publik i Himarës, një hapësirë sportive dhe sociale për të rinjtë, po shkatërrohet për t’u kthyer në beton parkimi me miliona euro nga taksat e qytetarëve. Në vend që të mbrohen dhe zhvillohen hapësirat e gjelbra e sportive, ato po sakrifikohen për projekte betoni që zhdukin jetën komunitare. Ky është një tjetër shembull i një modeli zhvillimi që zëvendëson sportin dhe hapësirat publike me parkingje dhe beton.

Nga SYRI TV

Qeveria shqiptare, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka vendosur shpenzimin e mbi 7 milionë eurove për shkatërrimin e stadiumit të Himarës. Fusha sportive, e vetmja publike në të gjithë zonën e Bregut, do të shndërrohet në beton parkimi.

Në shtator të vitit 2025, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli procedurën tenderuese për “Ndërtim i godinës së parkimit nëntokësor dhe godinës së shërbimeve administrative, Himarë” (Godina e Re)”, me fond limit 575 milionë lekë të reja ose rreth 5.5 milionë euro.

Procedura është shënuar me flamur të kuq, pasi fituesi i saj u shpall, pasi më parë u skualifikuan 13 konkurentë me ofertën më të ulët.

Vetëm 4 muaj pas mbylljes së procedurës së parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit iu rikthye sërish shpenzimeve për shndërrimit e fushës sportive në parkim. Këtë javë është hapur tenderi për “Punime Plotësuese”, me një fond limit prej 156 milionë lekë të reja ose rreth 1.5 milionë euro.

Në dokumentat e tenderit theksohet se “Stadiumi "Petro Ruçi" ndodhet në një zonë me rëndësi strategjike për qytetin e Himarës, në afërsi të qendrës urbane dhe vijës bregdetare dhe se ky kompleks sportiv shërben si pikë referimi për zhvillimin e eventeve sportive dhe grumbullimet e të rinjve”.

Por, megjithëse pranohet se qendra aktuale është pikë referimi për ngjarje sportive, sërish Fondi i Zhvillimit, me miratimin e Bashkisë së Himarës, të drejtuar nga Vangjel Tavo, kanë vendosur ta tjetërsojnë tërësisht atë.

Në projektin e publikuar rezulton se fusha sportive do të shndërohet në një kompleks betoni, duke e reduktuar në maksikum sipërfaqen për aktivitete sportive. Projekti tregon se stadiumi që mban emrin e lojtarit të famshëm të Flamurtarit dhe Kombëtares Shqiptare, Petro Ruçi, do të kufizohet vetëm në një fushë kalçetoje dhe një hapësirë minimaliste për basketboll.