Neuer drejt të 40-ave, lëndimet shtohen, por Bayerni mendon për rinovimin e kontratës
Manuel Neuer vazhdon të përballet me probleme fizike në një sezon të vështirë për portierin legjendar të Bayernit të Mynihut. Klubi bavarez ka konfirmuar se ‘gardiani’ gjerman nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Atalantë në 1/8-at e UEFA Champions League.
Neuer ka pësuar një dëmtim të lehtë muskulor në pulpën e majtë dhe do të mungojë për këtë përballje të rëndësishme në ‘Gewiss Stadium’. Klubi nuk ka dhënë një afat të saktë rikuperimi, por është e qartë se për ndeshjen në Bergamo në portë do të jetë portieri i ri Jonas Urbig.
Portieri 22-vjeçar, i lindur në vitin 2003, tashmë është mësuar me përgjegjësi të mëdha dhe pritet të regjistrojë paraqitjen e tij të 12-të këtë sezon. Në ndeshjen e fundit kundër Borussia Mönchengladbach ai nuk pati shumë punë në pjesën e dytë dhe nuk kishte faj në golin e pësuar në fund. Urbig ka gjithashtu një përvojë të mirë në Champions League, me pesë ndeshje të luajtura, katër prej tyre në fazën me eliminim direkt sezonin e kaluar. Në atë edicion ai mbajti portën e paprekur kundër Bayer Leverkusen në 1/8-at e finales, megjithëse Bayern u eliminua më pas nga Interi.
Brenda klubit bavarez, Urbig gëzon besim të plotë nga drejtuesit dhe stafi teknik. Ndërkohë mbetet për t’u parë e ardhmja e Neuer, i cili së shpejti do të mbushë 40 vjeç dhe kontrata e tij skadon më 30 qershor.
Sipas mediave gjermane, drejtuesit e Bayernit janë të gatshëm t’i ofrojnë portierit një rinovim edhe për një sezon tjetër. Vendimi përfundimtar do t’i takojë vetë Neuer-it, i cili duhet të vlerësojë edhe gjendjen fizike, pasi dëmtimi i fundit është i katërti që ka pësuar gjatë këtij sezoni.