Berisha: Sot ka një kushtrim për çdo qytetar, të braktisë shumicën e heshtur, të hidhet në sulm për të larguar Edi Ramën

Në një mesazh të fortë drejtuar qytetarëve shqiptarë, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim kundër qeverisë aktuale, duke e quajtur qëndrimin në “shumicën e heshtur” një formë bashkëfajësie.

Ai theksoi rëndësinë e organizimit të demokratëve dhe dialogut me qytetarët, duke nënvizuar se vetëm bashkimi dhe veprimi i përbashkët mund të ndalojë rrokullisjen e vendit.

Duke përmendur situatën alarmante të arsimit, ku numri i nxënësve parauniversitarë ka rënë 49.4% në 11 vitet e fundit, Berisha bëri një apel të qartë: çdo qytetar duhet të marrë pjesë aktivisht për të larguar Edi Ramën dhe për të rikthyer shpresën dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Fjala e tij:

Sylë Ismailaj: Gjendja e vendit është e mjerueshme për shkak të kësaj qeverisje të korruptuar dhe kriminale të drejtuar nga Ramaduro. Për rrëzimin e saj duhet organizim në embrion të PD. Në takimin me kryetarët e degëve ju kërkuat organizim dhe organizim. Sa jeni në dijeni që po zbatohet kjo porosi në terren dhe sa po zbatohet statuti në bazë.

Sali Berisha: Mendoj se organizim, organizim, organizim, mbetet përsëri kryefjalë e veprimtarisë tonë. Nuk mund të mohoj se përpjekjet janë, por përpjekje shumë më të mëdha për organizimin, konsolidimin, ripërtëritjen dhe hapjen e PD-së janë të një rëndësie vendimtare në përmbushjen e misionit. 
Mendoj se është i domosdoshëm një dialog intensiv i të gjithë demokratëve me të gjithë qytetarët shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike. 
Sot qëndrimi në shumicën e heshtur është bashkëfajësi. Çdo qytetar duhet ta ketë të qartë një gjë; Mbështetja më e rëndësishme nuk i vjen narkoregjimit nga zyrtarët e tij, se ata vetëkuptohet që e mbështesin, nga pseudoinstitucionet e tij, por i vjen më e çmuara dhe e rëndësishmja nga shumica e heshtur. 
Dhe sot mendoj se çdo qytetar nuk ka asnjë motiv të jetë anëtarë i asaj shumice ku sheh vendin se si po rrokulliset. 
Tani po vij nga një takim me mësuesit. Për të gjithë ata që kanë fëmijë, që vlerësojnë dhe besojnë në shkollimin dhe edukimin e tyre, përshkrimet që ata i bënë situatës së arsimit dëshmonin për një shpartallim të këtij sistemi. 
Fakti që sot ne numëronim 49.4% më pak nxënës në shkollat parauniversitare se sa në vitin 2013, është një alarm, është një sirenë në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar. 
Le ti shtrojë vetëm qytetari shqiptar. Nëse në 11 vite ne humbëm 49.4% të nxënësve sa do kemi ne nxënës me Edi Ramën, pas 11 vitesh të tjera. A do pranojmë ne këtë katastrofë demografike kombëtare që zhvillohet para syve tanë dhe që zhvillohet vetëm për shkak të vjedhjeve të tmerrshme që kjo qeveri u bën fondeve dhe pasurive publike. 
Pra sot ka një kushtrim, ka një apel, ka një thirrje për çdo qytetar të braktisë shumicën e heshtur, të hidhet në sulm në përpjekje me të tjerët në mënyrë që të arrijnë largimin e Edi Ramës nga pushteti, të votojmë të lirë si qytetarë dhe të ecim drejt një Shqipërie me shpresë, me të ardhme për çdo shqiptar.