Messi në Shtëpinë e Bardhë, Mascherano: Duhej të flisnim vetëm për futboll me Trump-in
Lionel Messi dhe skuadra e Inter Miamit zhvilluan një vizitë të veçantë në Shtëpinë e Bardhë, pasi klubi amerikan ishte ftuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në cilësinë e kampionit të fundit të Major League Soccer.
Vizita, e cila pritej të ishte kryesisht ceremoniale dhe e fokusuar te futbolli, mori një drejtim të papritur gjatë takimit. Trump fillimisht lavdëroi Messin, duke e quajtur “lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave”, por më pas filloi të fliste edhe për çështje politike dhe për situatën e luftës në Iran, përpara lojtarëve dhe stafit të skuadrës.
Kjo situatë u komentua edhe nga trajneri i Inter Miamit, Javier Mascherano, i cili foli në konferencë për shtypin para ndeshjes kundër DC United.
“Ne duhej të flisnim vetëm për futboll, por nuk ndodhi kështu”, deklaroi Mascherano. Ai theksoi se klubi e kishte pranuar ftesën duke respektuar protokollin që parashikon pritjen në Shtëpinë e Bardhë për ekipin kampion të MLS. “E pranuam ftesën duke respektuar protokollin. Ishte planifikuar që vizita të ndodhte në javën kur do të luanim këtu në Uashington”.
Trajneri argjentinas shtoi se kur klubi kishte dhënë miratimin për vizitën, askush nuk e kishte imagjinuar një situatë të tillë. “Vizita ishte planifikuar prej gati dy muajsh. Nuk ka lidhje me situatën aktuale. Kur u organizua takimi, konteksti botëror ishte ndryshe”, u shpreh ai.
Mascherano tregoi gjithashtu se delegacioni i Inter Miamit nuk pati shumë kohë për të vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe se takimi me Trump ndodhi vetëm gjatë momentit që u transmetua në televizion.
Vizita e Messit dhe skuadrës së tij në Uashington ka tërhequr shumë vëmendje në media, duke kombinuar sportin me politikën në një moment të veçantë për klubin amerikan.