Allegri, para derbit: Interi është skuadra më e fortë, ne mendojmë për Champions-in
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka folur në konferencë për shtypin në prag të derbit të madh kundër Interit, një ndeshje që mund të ndikojë shumë në garën për titullin në Serie A. Megjithatë, tekniku kuqezi theksoi se fokusi kryesor i Milanit mbetet kualifikimi për në Champions League.
Allegri e cilësoi derbin një ndeshje të veçantë, por kujtoi se në fund vlen vetëm rezultati në tabelë. “Derbi është gjithmonë një ndeshje e veçantë, e bukur për t’u luajtur dhe për t’u përjetuar. Do të jetë një mbrëmje e madhe sportive mes vendit të parë dhe të dytë në kampionat, por në fund tri pikët vlejnë njësoj si në çdo ndeshje tjetër”, tha ai.
Trajneri i Milanit e pranoi se kundërshtari është shumë i fortë dhe favorit në këtë moment. “Nuk do të jetë e lehtë, sepse përballemi me një skuadër shumë të fortë. Pas ndeshjes do të shohim nëse diferenca do të mbetet -10, do të bëhet -7 apo -13. Pastaj do të bëjmë llogaritë”.
Megjithatë, Allegri nuk dëshiron të flasë shumë për mundësinë e rihapjes së garës për titullin. Ai theksoi se objektivi i Milanit është tjetër: “Scudetto” i rihapur nëse fitojmë? Neve na duhen edhe pesë fitore për të arritur në Champions League. Ky është objektivi ynë kryesor”.
Trajneri kuqezi foli edhe për të ardhmen e tij në klub, duke qetësuar zërat për një largim të mundshëm. “Kam kontratë me Milanin deri në vitin 2027. Ndihem mirë këtu dhe jam shumë i kënaqur. Por derisa të arrijmë objektivin tonë, duhet të mbetemi të përqendruar te e tashmja”.
Në fund, Allegri nuk kurseu vlerësimet për rivalët zikaltër, të cilët sipas tij janë aktualisht më të fortët në kampionat. “Interi ka lojtarë me shumë përvojë, cilësi teknike dhe forcë fizike. Në këtë moment është skuadra më e fortë e Serie A”.