7 urdhërarreste për grupin e 'Ujit të Ftohtë' në Vlorë, në Zvicër u arrestua një tjetër polic (Emri)

Zbulohet një tjetër nga 7 personat ndaj të cilëve SPAK ka firmosur urdhërarrest si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që njihej si grupi i “Ujit të Ftohtë” në Vlorë dhe që akuzohen për episode të trafikut të drogës dhe për vrasje

Bëhet fjalë për Hamëz Demushin, një tjetër ish punonjës policie i cili është arrestuar në Zvicër, mëson gazetari I Syri TV, Fatjon Gjinaj.

Ky është efektivi i dytë i policisë i arrestuar në kuadër të këtij operacioni i cili sot vijoi dhe me kontrolle tek zona e Ujit të Ftohtë.

Pak më parë u mësua dhe arrestimi i  Rezat Kuçit, ish-shef krimesh në Komisariatin Nr.1 në Tiranë.

Pritet që SPAK të dalë me një njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje. Ndërkohë hetimet janë ndjekur nga prokurori Vladimir Mara.

Mes urdhërarresteve të firmosura, një urdhër-arresti i dytë është lëshuar nga SPAK ndaj Flodian Plakut, njeriut që një vit më parë u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa qëndronte në ambjentet e hotel “Doko” në Orikim.

Aktualisht Plaku është në fazën e hetimit nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Vrasjes me paramendim” ndaj njeriut të Ervis Martinaj Gentjan Plakut. Por tashmë një urdhër i dytë është lëshuar kundër tij, nga prokuroria e Posaçme SPAK, pas dyshimeve të forta në implikimin e tij në trafikun e drogës, vrasjeve dhe sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.
Veç Flodian Plakut, mësohet se urdhër-arresti është lëshuar ndaj Ervis Matodashaj, i cili është shpallur në kërkim. Akuzat ndaj Matodashaj ende nuk dihet saktësisht.