SYRI TV/ Lezha dhe Shkodra rrezikojnë izolimin nga Tirana, ura mbi lumin Mat ka pësuar dëmtime

Veriu i Shqipërisë rrezikon të izolohet si pasojë e dëmtimit të urës kryesore mbi lumin Mat, në autostradën Milot-Lezhë, në fshatin Shënkoll. Kjo urë mban peshën e të gjithë qarkullimit rrugor drejt Lezhës, Shkodrës dhe Malit të zi dhe mbyllja e saj do të thotë izolim total të këtyre rajoneve.

Kohët e fundit, janë vënë re dëmtime serioze në disa prej këmbëve të urës, duke rritur rrezikun e shembjes së saj.

Erozioni, devijimi i rrjedhës se lumit nga gërryerjet pa kriter kanë bërë që disa nga urat, përfshirë edhe urën e Zogut që është monument kulture, po dhe urën në afërsi të pazarit të Milotit që të dalin jashtë funksionit dhe të mbyllen, duke paralizuar trafikun në qarkun Lezhë, veçanërisht përgjatë fundjavave.

Eksperti i mjedisit, Jak Gjini, shprehet se devijimi i rrjedhës së lumit dhe gërryerjet pa kriter po prishin bilancet natyrore dhe kërcënojnë jo vetëm këtë urë, por edhe ura të tjera mbi lumin Mat, përfshirë edhe urën e Zogut, e cila është monument kulture.

Shoqëria civile ka ngritur gjithashtu shqetësimin për dëmtimet. Elsa Sula thotë se nxjerrja e inerteve nga shtrati i lumit ka dobësuar bazën e urës, duke rritur rrezikun për dëmtime serioze.

Ekspertët dhe aktivistët kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si për ndalimin e nxjerrjes së inerteve, ashtu edhe për përforcimin e këmbëve të urës, në mënyrë që të mos rrezikohet izolimi i veriut të Shqipërisë.

Situata kërkon një ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si për ndalimin e nxjerrjes së inerteve nga Lumi Mat.