'7 marsi'/ Meta: Fatkeqësisht, shumë prej mësuesve sot e festojnë larg atdheut! Arsimi përballet me sfida të mëdha
Në një mesazh të përzemërt për të gjithë mësuesit shqiptarë, kreu i PL, Ilir Meta shprehu mirënjohjen për përkushtimin e mësuesve, pedagogëve dhe profesorëve, të cilët çdo ditë punojnë për të ndërtuar dijen dhe karakterin e brezave të rinj.
Meta shpreh shqetësim për largimin e mësuesve në emigracion për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së investimeve, dhe nënvizon se arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar për një Shqipëri më të zhvilluar dhe me shpresë për të rinjtë.
Postimi:
Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!
Urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe sakrificë i shërbejnë çdo ditë dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Mirënjohje të thellë për misionin tuaj fisnik në përcjelljen e dijes, vlerave qytetare dhe identitetit kombëtar.
Fatkeqësisht, shumë prej jush sot e festojnë këtë ditë larg atdheut. Politikat e gabuara dhe mungesa e mbështetjes për arsimin kanë detyruar jo pak mësues e pedagogë të largohen në emigracion, kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për përvojën dhe përkushtimin tuaj në shkolla dhe universitete.
Sot arsimi përballet me sfida të mëdha: nënfinancim nga buxheti i shtetit, paga të ulta që nuk krahasohen dot as me Kosovën, shkolla që mbyllen, universitete që zbrazen dhe një sistem që shpesh nuk i jep vlerësimin e merituar mësuesit shqiptar. Por pavarësisht vështirësive, mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë dhe themeli i së ardhmes së vendit.
Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në dije, në dinjitetin dhe mirëqenien e mësuesve është investimi më i sigurt për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për të rinjtë.
Me besim se e ardhmja ndërtohet mbi dijen, uroj që kjo ditë të jetë jo vetëm një kujtesë për respektin por edhe për mbështetjen që çdo mësues meriton.