Mbyllet aeroporti i Dubait, pezullohen të gjitha fluturimet

Kompania ajrore Emirates ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt dhe nga Dubai deri në një njoftim të dytë. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X (Twitter), kompania bëri të ditur se të gjitha fluturimet janë ndërprerë përkohësisht dhe u ka kërkuar pasagjerëve të mos paraqiten në aeroport.

“Ju lutemi mos shkoni në aeroport”, thuhet në njoftimin e kompanisë. Ajo shton se do të publikojë përditësime të reja sapo të ketë informacion shtesë, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti më i lartë dhe nuk do të komprometohet.

Në një përditësim tjetër, Aeroporti Ndërkombëtar Dubai njoftoi se ka pezulluar përkohësisht të gjitha operacionet, duke argumentuar se kjo masë merret për sigurinë e pasagjerëve, stafit të aeroportit dhe ekuipazhit të linjave ajrore.

Situata mbetet e monitoruar nga autoritetet dhe udhëtarët këshillohen të qëndrojnë të informuar për çdo ndryshim të mëtejshëm.