Këlliçi: Call-centerat mashtruese në Tiranë janë biznes qeveritar, SPAK të ndërhyjë menjëherë
Në një postim në rrjetet e tij sociale, deputeti Bleind Këlliçi u shpreh se zbulimi i emisionit Piranja tregon qartë se call-centerat mashtruese në Tiranë funksionojnë si një biznes qeveritar.
Ai theksoi se vetëm me mbështetjen dhe heshtjen e institucioneve shtetërore ky aktivitet kriminal mund të përhapet masivisht, duke shkaktuar mijëra viktima në Europë dhe duke u marrë shpesh kursimet e një jete.
Këlliçi paralajmëroi se zhdukja e gjurmëve të këtyre skemave menjëherë pas investigimit nga gazetarët italianë tregon një orkestrim të organizuar, ndërsa SPAK duhet të ndërhyjë menjëherë për të zbuluar jo vetëm operuesit, por edhe lidhjet e tyre qeveritare dhe shtetërore.
Postimi:
Zbulimi i emisionit Piranja tregon qartë se call-centerat mashtruese në Tiranë janë një biznes qeveritar.
Vetëm me bekimin e qeverisë mund të përhapet masivisht ky aktivitet kriminal, që ka shkaktuar mijëra viktima tek qytetarët e BE duke u marrë shpesh kursimet e një jete.
Aq më tepër, vetem me kujdesin e mbrojtjen e qeverisë mund të ndodhë që të gjitha këto zyra të mbyllen e të avullojnë njëkohësisht.
Pikërisht sapo nisi hetimi dhe erdhën provat nga 'Le Iene', me investigimin disa mujor që gazetarët italianë bënë këtu në Tiranë, u zhdukën gjurmët e këtyre skemave mashtruese.
Piranjat ka udhëtuar në më shumë se 10 adresa në Tiranë ku deri tani vonë sipas dëshmive ushtrohej ky aktivitet. Bëhet fjalë për ambjente luksoze në godina në mes të kryeqytetit, në Bllok, te Delijorgji, te Rruga e Kavajës, Down Town e lokacione të tjera shumë të njohura, të frekentuara e të ekspozuara. Të gjitha rezultojnë të sapombyllura. Me një orkestrim pra. Mbyllje e organizuar.
Kush do të mund ta kryente një biznes të tillë kriminal në mes të kryeqytetit e në mes të ditës pa bekimin e drejtuesve të policisë së shtetit?!
Kjo është një ngjarje e rëndë që ka sjellë shumë pasoja tek mijëra qytetarë europianë.
SPAK duhet të merret seriozisht me këtë fenomen. Të zbulojë jo vetëm operuesit, por sidomos lidhjet e tyre qeveritare dhe shtetërore.
Vetëm një hetim i plotë mund të sjellë drejtësi e të shpëtojë imazhin e Tiranës tonë, që është shnderruar në qendër të këtij biznesi kriminal.