Lufta e Tretë Botërore - Monolog nga Dojna Mema
Kam patur fatin të dëgjoj e para tekstin dhe lejt-motivin e një kënge për fëmijët e pafajshëm viktima të luftës, që Vlashenti e krijoi pasi imazhet e masakrave i dilnin dhe në gjumë. Pastaj, në Sanremo, Ermal Meta, solli një këngë tjetër për fëmijët që lufta i bën të heshtin.
Për ne shqiptarët, perëndimi ka qenë vendi nga vjen drita e qytetërimit.
Po sot, çfarë po vjen nga perëndimi?
Ne që kemi mbetur këtu kemi provuar gjithçka përveç qetësisë.
Kemi përjetuar rënien e diktaturës; kemi parë '97-ën… Kur u hapën depot dhe kalamajtë luanin me kallashnikovë në vend të petave; pastaj fëmijët e Kosovës duke fjetur nëpër palestra shkollave tona, me sy të hapur, sepse dhe gjumi i kishte braktisur; Kemi numëruar avionët e NATO-s duke fluturuar drejt veriut. Dhe ne, në mes. Si gjithmonë.
Pastaj kriza, pandemira, inflacione, luftra.
Sepse, e dini si funksionon bota?
Njerëzit e mëdhenj marrin vendime. Njerëzit e vegjël i jetojnë. Ata ulen, bëjnë e prishin negociata. Ne blejmë thasë me miell, t'i kemi rezervë. Ata bëjnë strategji gjeopolitike. Ne vuajmë rritjet e çmimeve, shkaktuar nga luftërat.
Tani ka nisur një konflikt i ri. Duket si larg nesh, por i ndihet era dhe këtu.
Dhe presim. Sepse mielli, qumështi e ilaçet, vijnë nga larg; sepse gratë e fasonerive do të mbeten pa punë e pa bukë, nëse kriza kap partnerët italianë; sepse kemi djalin tonë emigrant aty ku mund të mbërrijë lufta.
Jemi ushtarakisht të pambrojtur. Ekonomikisht të varur. Diplomatikisht të vegjël.
Dimë të bëjmë dy gjëra shumë mirë: të durojmë dhe të ikim. Kemi eksperiencë në të dyja.
Në vitin 1914, një plumb vrau një arkidukë në Sarajevë. Thanë: do zgjasë pak muaj, do mbarojë para Krishtlindjeve.
Katër vjet e gjashtëmbëdhjetë milionë të vdekur më vonë, e kuptuan se kishin gabuar llogaritjen. Çdo ortek fillon me një gur të vetëm. Dhe askush nuk di ku ndalet.
Sa për Liderët tanë, ata do bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, do shikojnë nga fryn era, për interesin personal. Lufta, për ta është mundësi për të fituar kredite politike ndërkombëtare.
Po ne, të tjerët? A do jetojmë edhe ne si ata fëmijëte këngës? Me sy hapur, me gojë të mbyllur, duke pritur a do i mbijetojmë natës?
Apo, Por ne, ne të “vegjlit”, ne që nuk e duam luftën, duhet ta artikulojmë me zë frikën tonë. Dhe ti japim asaj emër.
Ne, duhet të bërtasim.
Me protesta, me debate, por dhe me art e me çfarë të mundemi.
Ne nuk jemi si liderët tanë dhe ne nuk mund të rrimë me duart lart.
As për t’u lutur, e as për t’u dorëzuar.
Nëqoftë se doni luftë, me ba, t’ ikin fëmijët sa më larg, pastaj mundeni me u vra.