Piranjat/ 'Nuk e kam rr*hur, ajo ka probleme' - Dëshmi tronditëse vijnë nga Shqipëria dhe Italia për Gjovana Markun

Një javë më parë “Piranjat” treguan historinë e ish-bashkëshortëve, Leonard Marku nga Vau Dejës dhe Gjovana Peci nga Bushati, histori e cila nisi në vitin 2020 dhe sot ka përfunduar në divorc, por duke lënë pas shumë viktima.

 Akuzat e Leonardit për ish-gruan e tij u përqendruan më së shumti te problemet e saj mendore. Nga ana tjetër Gjovana bëri një mal me akuza në Polici kundrejt tij, dhe sot e kësaj dite 42-vjeçari qendron në “arrest shtëpie”, pasi ka apeluar vendimin me 2 vite e 6 muaj burg për dhunë në familje.

Gjyqtarja Elona Mërtiri mori parasysh kallëzimin e Gjovanës, dy aktekspertimet e psikologes Migena Haxhi dhe psikiatrit Gjon Preçi, dëshmitë e prindërve të Gjovanës dhe anashkaloi dëshmitë e prindërve të Leonardit, deklaratat e tij, të vajzës së tij të madhe apo vëllait të tij Marjan Marku.

Madje kjo gjyqtare bashkë me prokuroren Albulena Kuliçi, nuk e morën aspak parasysh faktin se Gjovana dhe prindërit e saj tjetërsuan dëshmitë e tyre në gjykatë, duke mohuar shumicën e dëshmive që kishin bërë në Polici.

Ndaj lind pyetja, kush gënjen në këtë histori? Leonardi apo Gjovana?

Ne do mundohemi ta sqarojmë hap pas hapi sepse çdo fakt apo pretendim e kemi të dokumentuar. Dy janë arsyet kryesore, të bërtitura me zë të lartë nga familja Marku, jo vetëm në momentin e arrestimit dhe hetimit, por edhe më herët. E para, sipas tyre Gjovana ka probleme të shëndetit mendor, dhe e dyta, familja e saj mund ta pranonte ndarjen vetëm nëse blihej shtëpi për Gjovanën, pasi ata nuk e donin në banesë bashkë me fëmijët.

“Është çdo gjë e sajuar nga Gjovana në bashkëpunim me familjen e saj, për përfitime ekonomike, e kanë thënë në seancë gjyqësore vetë“, deklaron Leonardi.

Përpara se t’ju tregojmë dëshmi tronditëse lidhur me personalitetin e Gjovanës, përpjekjet e 42-vjeçarit për ta dërguar në familje dhe insistimin e palëve për të vijuar këtë martesë me probleme, deri te pretendimet për përfitime dhe inskenim situatash, ju bëjmë me dije se Policia dhe Prokuroria ka vepruar në mënyrë skandaloze lidhur me qasjen ndaj vajzës së madhe të Leonardit dhe administrimin e provave, duke mos u thelluar në fakte për të zbardhur të vërtetën e duke lejuar disa persona të nëpërkëmbin drejtësinë shqiptare.

Kiara qendroi për minuta të tëra në dhomën e OPGJ-së duke u marrë në pyetje në prezencë të psikologes, por në dokumentin e Policisë janë shkruajtur vetëm 2 rreshta, ku bie në sy akuza e saj për dhunë të ushtruar nga Gjovana me vrasëse mizash dhe me shpulla. Përpara trupës gjykuese, prokurorja Albulena Kuliçi e konsideroi këtë deklaratë të 11-vjeçares të manipuluar nga babai i saj, duke cituar psikologen Vinefreda Gazulli, e cila është shprehur se, “Ndikimi që babai ka në jetën e saj ka fuqi orientuese dhe manipuluese të marrëdhënies së Kiarës me të tjerët”.

Ishte pikërisht ky përfundim i cunguar i psikologes Gazulli që ndikoi tek Prokuroria për të mos marrë në konsideratë dhunën e denoncuar të Kiarës, nga njerka, dhunë që ka shumë dëshmitarë.

“Njëherë, kur vajza e vogël 6 vjeçe ishte duke biseduar me mua, Gjovana erdhi prej dhomës dhe e ka rrah cucën e Leonardit ndor teme. Kam marrë vesh që e ka rrahur edhe në Itali vajzën e Leonardit, Kiarën. Vajza më tha: “Më ka ra me këtë mbytësen e mizave dhe më ka ba dhëmbin gjak”, tha në Polici gjyshja e Kiarës, Mrikë Marku.

“I kam shkuar te shtëpia dhe i kam çuar dy pako karamele. Kur ika përshëndeta Kiarën dhe ia lashë në tavolinë. Sa mbylla derën, vajza ishte duke hapur karamelet me dorë për t’i ngrënë. Kthehet kjo i thotë, “çfarë je duke bërë moj vajzë?! Ta tregoj unë qejfin ty kur të vi brenda!”. Edhe u drodh vajza u zverdh komplet, ishte fëmijë, e vogël“, tregon për gazetarin Freard Rista, zonja Tone Gjergji, motra e Lleonardit.

Edhe xhaxhai i Kiarës dëshmoi në Gjykatë lidhur me sjelljet problematike të Gjovanës në Itali.

“Nga ana e Leonardit nuk kam parë dhunë, nga ana e Gjovanës po, ndaj mbesës sime dhe ndaj objekteve, gjërave, sendeve shtëpiake, ushqimeve, veshmbathjeve, s’ka lënë gjë pa bërë, deri sa ka krijuar dhunë mbi Kiarën. Ka prishur divanet, kuzhinën, ja kemi ndërruar, i kemi vënë të reja”.

Më 1 janar 2023, Leonardi shkon në shtëpinë e familjes Peci, ku ia thotë hapur të gjitha pakënaqësitë dhe shqetësimet lidhur me Gjovanën.

“Fëmijën tim s’ka shanse me ma prek. Erdha që të mos më thoni mbrapa s’ju kam thënë. Kjo është e djallëzume. Pasha kokën tuaj mos më merrni në qafë, mbajeni vajzën këtu, mos ma sillni më, mos ma sillni më se në pik të sherrit më keni futur, më keni marrë në qafë”, dëgjohet të thotë ai në një inçizim që ka bërë në shtëpinë e tyre, ndërsa vjehrri i përgjigjet: Nigjo çfarë po të them, dy rrugë, vajzen e ka marrë, nese kjo nuk nigjon, hu, diktaturë, myte.

Pas këtyre përplasjeve dhe debateve në të cilat ishin përfshirë edhe familjarët e dy bashkëshortëve, u duk se gjërat do të normalizoheshin. Prindërit kishin folur me vajzën e tyre dhe pas kthimit në Itali ajo do të reflektonte, por fatkeqësisht gjërat do të përkeqësoheshin.

“Kam një vajzë 6 vjeçe dhe më thotë: “Merre pak babin e Kiarës në telefon se nuk ka Gjovana internet”. “Po ti moj Kiara pse nuk i tregon xhaxhit tënd se çfarë problem ke?”. Aty filloi të qajë vajza në një mënyrë absurde. Ajo kishte frikë nga kërcënimet se nuk e linte Gjovana të futej brenda në shtëpi”, tregon për gazetarin Freard Rista, kushëriri i Leonardit, Kristjan Marku.

Diçka që e konstaton edhe zonja Nuçia Risalvato, një mikeshë e Leonardit, e cila e ka ndihmuar së tepërmi me Kiarën.

“Kur e çoja Kiarën në shtëpi, vija re një ndryshim humori të vajzës. Babai ishte në punë, dhe në shtëpi do e priste Gjovana. Vajza trishtohej, por unë nuk mund ta imagjinoja kurrë diçka të tillë. I bija ziles dhe kishte raste që telefonoja edhe Leon për t’i thënë që të hapte derën sepse Gjovana nuk e hapte derën. Nuk dilte as jashtë për ta ndihmuar vajzan që t’i mbante çantën. Asgjë s’bënte. Kur ishte në shtëpi me mua lunate e vajzën time, në momentin kur unë I thosha që do ikim në shtëpi, ajo mërzitej”, thotë ajo.

“Kjo është shumë e vogël. Me të thënë të drejtën ka kaluar trauma të mëdha prej saj. Me çfarë kemi kuptuar ne ajo nuk është normale, është e lindur. Një grua që nuk është e zonja të mbajë trupin e saj, për mendimin tim si do rrisi një fëmijë? Fëmijën e vetë, se po e lëmë këtë që e ka torturuar“, shton Tone Gjergji, halla e Kiarës.

“Vajza vetë kur e kam patur këtu më tha: ‘ka marrë thikën të më presë në qafë, lëre që më ka rrahur disa herë’. ‘Pse nuk i ke treguar babit ti?’ ‘Nuk i kam thënë që të mos bëj keq’. Ajo e ka trajtuar vajzën keq shumë. Edhe idhnake, e tmerrshme!”, shprehet babai i Leonardit, Gjon Marku

Në pamundësi për të qenë pranë saj, me miratimin e babait biologjik dhe hallës kujdestare, e mbi të gjitha në praninë e psikologes, ne zhvilluam një bisedë në distancë me 11-vjeçaren Kiara Marku. Deklaratat e saj janë tronditëse.

“Në fillim Gjovana nuk më donte, nuk më afrohej. Përditë bëhej edhe më keq. Sa vija në shtëpi më rrihte, më mbyllte derën, nuk më jepte të haja. Nuk më lante rrobat, nuk më ndihmonte me asgjë. Unë detyrohesha të ikja të shtunën dhe të dielën te një plakë që më ndihmonte, se edhe ajo e kishte parë që kjo nuk më donte. Një ditë më ka thyer dhëmbin”.

Kiara tregon se gjendja e Gjovanës nuk ishte e mirë.

“Nuk ishte mirë. Nuk mund t’i afrohesha babit se nuk më lejonte ajo. Më thoshte fjalë të këqija, “të griftë kanceri”, gjëra të tilla. I binte murit me grushte, prishte shtëpinë. Më fshihte gjërat që më haheshin mua. Më prishte librat, m’i fshihte. Unë i kam pas thënë babit, ‘ndahu me këtë grua se kjo nuk më trajton siç trajtohet një njeri’. Më fuste frikën me histori të ndryshme, të familjes sime, më thoshte që nëna ime ka qenë shtrigë“, shprehet Kiara me lot në sy.

“Ajo bëhej nervoze me të gjithë të afërmit që kishim aty, u kapte me ta gjithmonë, për çdo gjë. Një ditë ishte babi im shumë keq, unë isha te ajo plaka. Babi ka qendruar gjithë natën në spital. Kur erdha te shtëpia kjo më tha: “E sjellshin babain tënd shokët e vetë të vdekur në arkivol”. Mbeta keq“, tregon 11-vjeçarja, tepër e prekur.

“Nusja e xhaxhait ka qenë në shtëpi, nuk ka punuar. Më ka marr disa herë në telefon më ka thënë “Kiara është shumë keq. Ta kam gjetur vajzën jashtë gjithë ditën pa ngrënë”. I kam thënë “sa të mundesh duroje, mos merr në telefon, se këtë fëmijë ka për ta shpëtuar vetëm Zoti“. Se as unë s’mund t’i tregoja vëllait tim se mendoja mos ta ngatërroj me gruan”, shton halla e saj, Tone Gjergji.

“Në fund të korrikut 2024 ishim duke u bërë gati të shkonim me pushime në Greqi, e shoh që po vinte vajza duke ardhur me flokë sa këtej e andej, e pyeta, “Çfarë ke moj Kiara?”, “Asgjë”. Kur dëgjoj sipër të shara të bërtitura. U ktheva mbas 2 javësh kur marr vesh që i kishte vënë thikën në qafë vajzës. Unë doja t’i thosha Lonit, por thashë prapëseprapë të mos flas para kohe se thotë ai tjetri “Po më prish rehatinë me gruan dhe familjen””, tregon Kristian Marku, kushëriri i Leonardit.

Një dëshmi rrëqethëse lidhur raportin e Gjovanës me vajzën e vogël e jep edhe Marina Boselli, një tjetër fqinje e Leonardit në Itali. 

“Gjovana është një person shumë i ftohtë. Kiara më ka treguar se ajo i ka drejtuar një thikë. Kur kthehej nga shkolla në shtëpi, ajo nuk e linte të futej brenda. Praktikisht Kiara qendronte jashtë deri kur kthehej Leonardi. Gjovana e rrihte. Kiara është e trembur. Kur e takoj rastësisht dhe bisedoj me të, duket që ka pak frikë. Kiara është shumë e traumatizuar”.

Kjo e fundit tregon tmerrin e përjetuar prej vitesh nga Gjovana, duke u mbyllur në vetëvete pa treguar asgjë, deri në momentin kur gjërat u bënë kritike.

“S’kam mundur kurrë t’ja tregoj të gjitha babit se ajo më thoshte fjalë të këqija, “ta bëj më keq po i tregove!” I kam treguar kur nuk kam mundur më, se më ka vënë dhe thikën në qafë. Në atë moment më kapi frika“.

“Më ka ardhur vajza rreth orës 03:30 të natës, duke qarë, “babi më nxirr nga shtëpia sepse unë kam frikë. Mama do të të theri ty dhe më ka thënë që nëse të tregoj ty do më presi qafën me thikë”. Kam dal me fëmijën tim, kemi një supermarket 24 orësh aty ku jetoj unë, kemi qendruar një orë duke blerë thjesht sa për t’i humbur atë pjesën e frikës, jam kthyer në banesë dhe të nesërmen në mëngjes i kam thënë: “Ti çdo gjë personale tënden do ta marrësh nga shtëpia ime sepse deri më datë 20 gusht unë dhe ti do shkojmë në Shqipëri dhe do ndahemi. Po të njejtën ditë kanë kërcënuar familjarët e mi, prindërit e Gjovanës, duke i thënë se “sa të vijë djali në Shqipëri ne do ta vrasim”.