‘Ylli’ i Phoenix Suns, Dillon Brooks, arrestohet për drejtim automjeti në gjendje të dehur

Dillon Brooks, basketbollist i Phoenix Suns, është arrestuar gjatë natës mes së enjtes dhe së premtes me akuzën e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur. Lajmi është konfirmuar nga policia lokale në Scottsdale.

Sipas autoriteteve, forcat e policisë e ndaluan 30-vjeçarin kanadez gjatë një kontrolli rrugor rutinë. Pas verifikimeve, ai u shoqërua në paraburgim dhe më pas u lirua rreth orës 03:30 të mëngjesit.

Phoenix Suns reaguan përmes një deklarate zyrtare duke bërë të ditur se janë në dijeni të situatës. “Jemi të informuar për situatën që përfshin Dillon Brooks-in dhe po mbledhim më shumë informacione. Për momentin, nuk kemi komente të tjera”, thuhet në reagimin e klubit.

Basketbollisti kanadez nuk ka luajtur në NBA që nga 21 shkurti për shkak të një frakture në dorën e majtë. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe pritet të rikthehet në parket vetëm në fund të muajit mars.

Para dëmtimit, Brooks po zhvillonte një nga sezonet më të mira të karrierës së tij në kampionatin amerikan të basketbollit. Me fanellën e Phoenix Suns ai kishte një mesatare prej 20.9 pikësh për ndeshje, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në këtë sezon.

Ngjarja mund të sjellë pasoja disiplinore për basketbollistin, ndërsa pritet që klubi dhe liga të japin më shumë detaje në ditët në vijim.