Shtëpia e Bardhë: SHBA ka mjaftueshëm armë të shkatërrojë regjimin iranian! 24 mijë amerikanë ikin nga Lindja e Mesme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të zhvillojë një takim me përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha amerikane të mbrojtjes, përfshirë Lockheed Martin, Boeing, Honeyëell dhe L3Harris Technologies.
Ky takim ishte planifikuar prej kohësh, përpara se të nisnin bombardimet ndaj objektivave në të gjithë Iranin. Megjithatë, përdorimi masiv i municioneve gjatë operacioneve ushtarake i ka dhënë takimit një urgjencë të re.
Disa ekspertë të mbrojtjes kanë paralajmëruar se shkalla aktuale e fushatës ajrore – si dhe kërkesa e madhe për kapacitetet e mbrojtjes ajrore përballë sulmeve hakmarrëse të vazhdueshme nga Irani – mund të bëhen të vështira për t’u përballuar nëse operacioni zgjatet.
Zyrtarët amerikanë, përfshirë edhe Trumpin, kanë hedhur poshtë çdo pretendim se rezervat e armëve dhe pajisjeve mund të kufizojnë operacionet ushtarake.
“Ushtria amerikane ka më shumë se mjaftueshëm municione, fishekë dhe rezerva armësh për të vazhduar shkatërrimin e regjimit iranian,” deklaroi në një reagim zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ajo shtoi se Presidenti Trump ka qenë gjithmonë i fokusuar fuqishëm në forcimin e ushtrisë amerikane, ndaj edhe takimi me kontraktorët e mbrojtjes ishte planifikuar disa javë më parë.
“Presidenti do të vazhdojë t’u kërkojë këtyre kompanive amerikane që të përshpejtojnë prodhimin e armëve të prodhuara në SHBA, të cilat janë absolutisht më të mirat në botë,” theksoi Leavitt, shkruan BBC.
Ndërkohë vijon largimi i amerikanëve nga Lindja e Mesme. Që nga fillimi i luftës, “gati 24 mijë shtetas amerikanë janë kthyer të sigurt në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje sot anëtarëve të ushtrisë dhe policisë iraniane si dhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që t’i ulin poshtë armët, duke u premtuar “imunitet të plotë” nëse e braktisin udhëheqjen klerikale të shtetit.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa shqetësimet sa shkojnë e rriten që lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit po përhapet në gjithë Lindjen e Mesme, dhe nuk po prek vetëm aleatët arabë të Uashingtonit, por edhe vendet tjera që nuk janë pjesë e Gjirit, sikurse Azerbajxhani, Turqia, Qiproja dhe madje Sri Lanka, rreth 3.900 kilometra larg.