Mrekullia e Lindsey Vonn, ngrihet në këmbë dhe rikthehet në stërvitje pas aksidentit të rëndë
Lindsey Vonn, 41 vjeçe, po rikthen dëshirën dhe forcën e saj sportive pas një aksidenti të rëndë në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d'Ampezzo. Vetëm 25 ditë pas rrëzimit, ku pësoi një frakturë komplekse të tibias në këmbën e majtë dhe iu deshën pesë operacione, ajo ka postuar një video në Instagram ku ngrihet nga karroca me rrota dhe stërvitet në palestër, duke punuar muskujt e barkut, shpatullave dhe madje edhe këmbën e lënduar.
Vonn u shkroi ndjekësve të saj: “Nuk ka dyshim që janë kohë të vështira, por unë jam ende mirënjohëse. Po punoj shumë. Qëllimi i vetëm është të rikuperoj. Ditë pas dite”.
Aksidenti ndodhi më 8 shkurt gjatë garës së zbritjes, ku Lindsey Vonn pësoi një dëmtim shumë më serioz se një këmbë e thyer. Ajo pranoi: “Dëmtimi im ishte shumë më serioz se thjesht një këmbë e thyer. Ende po kuptoj çfarë do të thotë dhe rrugën që më pret”.
Pas dy javësh në spital, mjekët i konfirmuan se ishin gati t’i prisnim këmbën për shkak të sindromës së kompartmentit, një gjendje e rrezikshme ku rritja e presionit brenda muskujve bllokon qarkullimin e gjakut dhe mund të shkaktojë dëme të përhershme nëse nuk trajtohet në kohë.
Lindsey Vonn, e cila ka marrë pjesë në pesë Lojëra Olimpike (një medalje ari dhe dy bronzi) dhe ka fituar 83 gara në World Cup, po vazhdon rikuperimin në Shtetet e Bashkuara dhe ka lënë përshtypje të madhe tek komuniteti i skijimit me forcën dhe vendosmërinë e saj për t’u rikthyer.