Sekreti i karrierës së gjatë të Lewandowski-t: Puna e vërtetë fillon shumë përpara ndeshjes

Në moshën 37-vjeçare, Robert Lewandowski vazhdon të jetë një nga referencat më të mëdha të futbollit evropian. Sulmuesi i Barcelonës, i cili më parë ka luajtur për Borussia Dortmundin dhe Bayernin e Mynihut, zbuloi sekretin për t’u mbajtur në nivel të lartë, duke theksuar se përgatitja shkon shumë përtej fushës së blertë. Në një intervistë për revistën GQ, Lewandowski shpjegoi se suksesi bazohet në një kombinim të rutinave për rikuperim, ushqimit dhe qartësisë mendore.

“Mendoj se ndryshimi më i madh ka qenë të filloj të dëgjoj trupin tim, në vend që të kërkoj gjithmonë më shumë nga vetja. Gjumi dhe rikuperimi janë bërë prioritet. Kam përshattur rutinat e mia… Janë këto vendime të vogla ditore që bëjnë diferencën”, tha Lewandowski.

Disiplina e tij përfshin seanca mobiliteti, shtrirje, dush të ftohtë, sauna me infra të kuqe dhe këpucë kompresioni. Kjo shoqërohet me një dietë të shëndetshme, megjithëse polaku pranon disa rrëshqitje të vogla:

“Dieta ime është shumë e shëndetshme në shumicën e kohës, por gjithmonë më pëlqejnë momentet e thjeshta, si një kafe e mirë, një ritual me çaj jeshil apo një vakt ku nuk numëroj kaloritë pas një ndeshjeje të rëndësishme”.

Dimensoni mendor është po ashtu kyç: “Relaksohem duke dëgjuar muzikë; më ndihmon të ul ritmin pas ditëve intensive. Të mbash mendjen të pastër kërkon disiplinë, gjumë të mirë dhe ato momente të vogla kur të shkëputesh nga zhurma për të rikthyer fokusin”.

Filozofia e tij e jetës përfshin respekt për trupin, mendjen dhe përsëritjen e zakonit të mirë. “Puna e vërtetë ndodh shumë përpara ndeshjeve. Saktësia ndërtohet ditë pas dite, me përsëritje, zakone të vogla dhe kujdes ndaj detajeve”, nënvizoi Lewandowski.

Ai dha edhe një këshillë për brezat e rinj: “Shumë lojtarë të rinj nënvlerësojnë durimin dhe qëndrueshmërinë. Talenti mund të të çojë larg, por janë rutinat dhe disiplina që të mbajnë në majë. Duhet të jesh i gatshëm të përsëritësh të njëjtat zakone të mira çdo ditë, edhe kur askush nuk po të sheh”.

Këtë sezon me Barcelonën, Lewandowski ka zhvilluar 31 ndeshje, ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë një asist.