Ish-kuzhinierja padit Neymar-in: Punë deri në 16 orë në ditë dhe probleme shëndetësore

Një ish-punonjëse e vilës luksoze të Neymar-it në Mangaratiba ka ngritur një padi gjyqësore kundër futbollistit brazilian, duke pretenduar se kushtet e punës i kanë shkaktuar probleme serioze shëndetësore. Sipas raportimeve të gazetës braziliane Metrópoles, punonjësja thotë se ka pësuar dhimbje në shtyllën kurrizore dhe inflamacion në ije si pasojë e lodhjes fizike në punë.

Në dokumentet e procesit gjyqësor thuhet se gruaja punonte si kuzhiniere në rezidencën e njohur si Casa Hotel Portobello, pronë e Neymar-it prej rreth dhjetë vjetësh. Ajo ka qenë e punësuar aty nga korriku i vitit 2025 deri në shkurt të vitit 2026.

Sipas padisë, kuzhinierja kishte për detyrë të përgatiste ushqime për grupe shumë të mëdha njerëzish, që në disa raste arrinin deri në 150 persona, mes tyre edhe vetë lojtari dhe miqtë e tij. Ajo pretendon se transportimi i mishit dhe pajisjeve të rënda në kuzhinë dhe në ambientet e vilës i ka shkaktuar dëmtimet fizike, për të cilat thotë se ka kryer edhe kontrolle dhe analiza mjekësore.

Padia nuk është drejtuar vetëm kundër Neymar-it, i cili aktualisht luan për Santosin, por edhe kundër kompanisë përmes së cilës ajo ishte punësuar.

Punonjësja pretendon gjithashtu se orari i punës shpesh tejkalonte atë që ishte parashikuar në kontratë. Edhe pse marrëveshja parashikonte punë vetëm gjatë ditëve të javës, ajo thotë se shpesh detyrohej të punonte edhe në fundjavë, veçanërisht të dielave, ndërsa në disa raste dita e punës zgjaste deri në mesnatë.

Në kërkesën e saj në gjykatë, ish-kuzhinierja kërkon një dëmshpërblim prej rreth 262 mijë realësh brazilianë (afërsisht 45 mijë euro). Shuma përfshin pagesa për ndërprerjen e kontratës, orët shtesë, dëm moral, shpenzime mjekësore dhe një pension. Sipas saj, ndonëse paga e regjistruar ishte rreth 4 mijë realë në muaj, me orët shtesë dhe bonuset arrinte mesatarisht në rreth 7.500 realë.

Vila ku pretendohet se kanë ndodhur këto ngjarje shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 5 mijë metrash katrorë dhe përfshin gjashtë suita, një pishinë, pistë kartingu dhe një zonë shtesë me dhjetë dhoma për mysafirët.