Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit/ Italia: Jashtë ligjit ndërkombëtar, niveli i mbrojtjes në maksimum!
Ministri i mbrojtjes i Italisë tha se sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit janë "jashtë ligjit ndërkombëtar", ndërsa vendi rriti nivelin e mbrojtjes kombëtare mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Guido Crosetto i tha parlamentit të enjten vonë se operacioni që po kryhet nga SHBA-të dhe Izraeli ishte "jashtë rregullave të së drejtës ndërkombëtare", duke paralajmëruar se situata rajonale mund të përkeqësohet më tej.
“Niveli i mbrojtjes kombëtare është rritur në maksimum”, u tha Crosetto ligjvënësve.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani theksoi se Italia nuk është e përfshirë në konflikt dhe kërkoi përpjekje diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Italia nuk është në luftë; kanalet diplomatike duhen preferuar”, tha Tajani, duke paralajmëruar për një “rrezik real” që konflikti të mund të zgjerohet në të gjithë rajonin.
Tajani tha se rreth 100,000 italianë janë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kriza në Lindjen e Mesme dhe se siguria e tyre mbetet përparësia kryesore e qeverisë.
Sipas ministrit, një grup pune qeveritar ka trajtuar rreth 14,000 thirrje dhe mijëra email-e nga italianët në rajon, ndërsa rreth 10,000 qytetarë janë ndihmuar të largohen nga zonat me rrezik të lartë.
Crosetto tha se Italia gjithashtu ka përshtatur vendosjen e personelit të saj ushtarak në rajon si një masë paraprake.
Përpara përshkallëzimit, Italia kishte 2,576 personel të vendosur në të gjithë Lindjen e Mesme. Disa forca janë ripozicionuar që atëherë, duke përfshirë lëvizjet nga Kuvajti dhe Katari në Arabinë Saudite, ndërsa trupat e vendosura në Bahrein po tërhiqen.
Autoritetet italiane po e monitorojnë nga afër situatën në Liban dhe janë të përgatitura të vendosin asete detare nëse evakuimet bëhen të nevojshme.
Ndërkohë, Dhoma e Deputetëve italiane miratoi një rezolutë të mbështetur nga qeveria mbi krizën në Lindjen e Mesme me 179 vota pro, 100 kundër dhe 14 abstenime pas informimit të ministrave.
Kryeministrja Giorgia Meloni paralajmëroi veçmas për rrezikun e përshkallëzimit, duke thënë se konflikti mund të ketë "pasoja krejtësisht të paparashikueshme".
Ajo shtoi se çdo kërkesë në lidhje me përdorimin e bazave ushtarake italiane, do të vlerësohet nga qeveria në konsultim me parlamentin./ AA.