Tottenhami humbet tri ndeshjet e para me Tudor-in, por trajneri kroat mbetet në stol
Fillimi i aventurës së Igor Tudor-it në stolin e Tottenham Hotspur nuk ka qenë aspak pozitiv. Trajneri kroat ka pësuar tri humbje në tri ndeshjet e para në kampionat që prej momentit kur mori drejtimin e ekipit londinez, pas shkarkimit të Thomas Frank.
Humbja më e fundit erdhi mbrëmjen e kaluar, kur Tottenhami u mposht në shtëpi me rezultatin 1-3 nga Crystal Palace, një rezultat që ka shtuar kritikat dhe dyshimet ndaj drejtimit të ri teknik. Pavarësisht kësaj serie negative, tabloidi britanik ‘The Sun’ raporton se drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të bëjnë ndryshime të menjëhershme në pankinë.
Një sinjal i qartë për këtë është fakti se Tudor pritet të dalë para medias të hënën, në konferencën për shtypin, përpara ndeshjes së parë të fazës së 1/8-ave të UEFA Champions League kundër Atlético Madridit. Prania e tij në këtë konferencë tregon se klubi londinez, të paktën për momentin, vazhdon t’i besojë trajnerit kroat.
Pas humbjeve ndaj Arsenalit, Fulhamit dhe Crystal Palace, situata në renditje është bërë e vështirë për Tottenhamin, që gjendet vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga kategoria, ndërsa deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe nëntë ndeshje për t’u luajtur.
Tudor, i cili në të kaluarën ka drejtuar skuadra si Juventus, Lazio dhe Olympique de Marseille, do të duhet të ndryshojë shpejt rrjedhën e rezultateve për të shmangur një tjetër shkarkim brenda të njëjtit sezon.