SYRI TV/ Koncert në Pallatin e Kulturës së Lezhës, këngë nga repertori shqiptar ‘jazz’ e ‘blues’
Në pallatin e Kulturës në Lezhë u organizua një mbrëmje muzikore, ku publiku pati mundësinë të shijonte këngë nga repertori shqiptar të interpretuara në versione jazz dhe blues nga artistë të rinj. Koncerti riktheu vëmendjen te meloditë qytetare shqiptare përmes një tingëllimi të ri artistik.
Syri TV
Një mbrëmje muzikore me një atmosferë të veçantë është zhvilluar në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë, ku publiku pati mundësinë të dëgjojë disa nga këngët më të njohura të repertorit shqiptar të interpretuara në versione jazz dhe blues.
Në qendër të koncertit ishin dy të rinj të talentuar, Aron Shema në kitarë elektrike dhe Ester Shema në flaut, e cila u prezantua edhe si soliste vokale. Ata u shoqëruan në skenë nga Mikea Kakusi në piano dhe Mirger Tusha në kitarë akustike. Gjatë mbrëmjes u interpretuan disa prej melodive të njohura të muzikës shqiptare, të cilat përmes aranzhimeve të Mirger Tushës erdhën me një tingëllim të ri në ritmet jazz dhe blues. Vokalistja dhe flautistja Ester Shema u shpreh se emocionet kanë qenë të mëdha dhe se për këtë shfaqje kanë punuar për rreth tre muaj.
Ndërsa kitaristi Mirger Tusha tha se ideja e kësaj mbrëmjeje lindi nga dëshira për të rikthyer në vëmendje këngët qytetare, të cilat sipas tij po njihen gjithnjë e më pak nga brezi i ri.
Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjeve të publikut, duke lënë një atmosferë të veçantë artistike.