New York Times: Teherani po vonon shpalljen e pasardhësit të Khameneit për arsye sigurie

The New York Times raporton se Irani po vonon shpalljen e pasardhësit të udhëheqësit suprem të vrarë, Ali Khamenei, për shkak të shqetësimeve serioze për sigurinë e kandidatit që pritet të marrë drejtimin e vendit.

Sipas zyrtarëve iranianë që folën për gazetën amerikane, vendimi për të shtyrë njoftimin lidhet edhe me deklaratat publike të bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, të cilat kanë paralajmëruar se lideri i ri i Iranit mund të bëhet objektiv i sulmeve për t’u “neutralizuar”.

Burime iraniane bëjnë të ditur se shpallja publike e liderit të ri të Republikës Islamike është shtyrë pjesërisht për arsye sigurie, pasi në media ka nisur të qarkullojë emri i kandidatit kryesor.

Kandidati më i përfolur për këtë post është djali 56-vjeçar i Khameneit, Mojtaba Khamenei, i cili konsiderohet nga shumë analistë si favoriti për të marrë drejtimin e vendit. Megjithatë, shqetësimet për sigurinë e tij janë rritur ndjeshëm që nga momenti kur emri i tij u publikua si pasardhës i mundshëm.

Sipas raportimeve, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se ai nuk do të ishte një zgjedhje e pranueshme si lider i ri dhe mund të “neutralizohej” nëse merr këtë rol. Nga ana tjetër, edhe zyrtarë izraelitë kanë paralajmëruar se kushdo që zgjidhet për të pasuar Khamenein mund të konsiderohet një objektiv i qartë.

Edhe pse ende nuk është caktuar një afat zyrtar për shpalljen e liderit të ri, vonesa tregon situatën e ndjeshme në të cilën ndodhet Irani, ndërsa procesi i pasardhjes zhvillohet në mes të luftës dhe kërcënimeve të jashtme. Analistët vlerësojnë se nëse në krye të vendit vendoset Mojtaba Khamenei, kjo do të nënkuptonte vazhdimin e linjës së fortë konservatore në udhëheqjen e Iranit.