‘Zgjedhje të reja në horizont’, analisti Shabiu: Kjo situatë i shërben vetëm armiqve të Kosovës
Kosova po zhytet në një krizë të thellë institucionale pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri, një situatë që po e shtyn vendin në mënyrë të pashmangshme drejt zgjedhjeve të parakohshme. Sipas analistit Besnik Shabiu që ishte i ftuar në një intervistë në Syri tv në një intervistë me gazetarin Arnold Kariqi, kaosi politik jo vetëm që po dëmton vendin nga brenda, por po i shërben drejtpërdrejt Serbisë, të cilën ai e cilëson si “armikun më të madh”.
Shabiu theksoi se klasa politike në Kosovë ka më shumë se një vit që po i “terrorizon” qytetarët me një “paaftësi totale”. Ai e përshkruan bllokadën aktuale si një “luftë inatesh” që i ka tejkaluar normat e lojës politike dhe ka kaluar “përtej marrëzisë”. Me tejkalimin e afatit kushtetues 30-ditor për zgjedhjen e presidentit, vendi tashmë po shkon drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja, duke konfirmuar dështimin e elitës politike për të gjetur një konsensus.
Pasojat e kësaj bllokade, sipas analistit, shtrihen përtej kufijve të vendit. Në arenën ndërkombëtare, Kosova po jep “material të mjaftueshëm” për të dëshmuar se ka probleme serioze me konsolidimin e institucioneve të saj. “Kjo është një farë forme një ushqim tejet për armikun më të madh, siç është Serbia,” shprehet Shabiu, duke argumentuar se Beogradi do ta përdorë këtë paqëndrueshmëri për të argumentuar se Kosova nuk është një shtet serioz dhe funksional.
Ndërsa zgjedhjet e reja duken si e vetmja rrugëdalje nga ngërçi aktual, cikli i vazhdueshëm i krizave politike dëshmon një papjekuri që jo vetëm i kushton qytetarëve, por edhe forcon pozitat e atyre që nuk ia duan të mirën shtetit të Kosovës.
Arnold Kariqi: Çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë? Pra, ka dështuar dhe raundi i fundit për presidentin. Vjosa Osmani ka shpërndarë parlamentin, ndërkohë që Vetëvendosja i është drejtuar Kushtetueses. Çfarë mund të themi?
Besnik Shabiu: Fatkeqësisht në Kosovë po ndodh gjithçka që s'duhej të ndodhte. Tashmë më shumë se një vit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë të terrorizuar prej klasës politike, e cila ka treguar një paaftësi totale, duke hedhur në pah më shumë një luftë inatesh dhe kjo i tejkalon edhe normat brenda të cilave mund të bëhet edhe lojara politike, por shkon drejt, definitivisht përtej marrëzisë. Nuk mund të mendonte askush që krizë pas krize do ta përcillnin shtetin e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, qytetarët përkundrazi kanë treguar një, kontribut të jashtëzakonshëm me gjithë ato palë zgjedhje. Fatkeqësisht po shkojmë tash edhe në një palë zgjedhje të reja për shkak të kësaj situate të krijuar, për mosdakordancën e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës dhe kjo është diçka që është paraparë edhe me kushtetutë. Është afati 30-ditor i cili është tejkaluar tashmë dje, dhe normalisht sot presidentja Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në automatizëm do të nënkuptojë që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Arnold Kariqi: Ndërkohë, çfarë pasojash pritet që të ketë tashmë kjo situatë në aspektin gjeopolitik, por edhe në raport me Serbinë? Kujtojmë se këta të fundit kanë përmendur disa herë situatën e Mossad-it, ndërhyrjet, Kosova është Serbi e tjerë e tjerë.
Besnik Shabiu: Po natyrisht, jemi duke dhënë material të mjaftueshëm për gjithë globin, që kemi probleme në konsolidimin e institucioneve dhe kjo po na përcjell pikërisht në kohën kur Kosova duhej të tregonte një pjekuri politike shumë më të lartë. Kjo ndoshta mund të ishte e kuptueshme në periudhën e pas luftës ose të pas pavarësisë, kur ndoshta përvoja institucionale ka qenë më e vogël, por po flasim për vitin 2026, po flasim për një periudhë kur bota, gjithandej globit sot ka probleme të natyrave të ndryshme. Sot kur problematikat globale kanë arritur në nivele ku po paralajmërohet edhe tentativa për përshkallëzim të situatës jo vetëm në Iran, por edhe në vende të tjera. Kështu që, kjo është një farë forme një ushqim tejet për armikun më të madh, siç është Serbia, e cila në arenën ndërkombëtare natyrisht do baraspeshë në vazhdimësi që Kosova, nuk është vend i cili duhet të merret seriozisht dhe ata kanë probleme elementare në themelimin e institucioneve. Kështu që, vetëm që i kemi bërë argat, fatkeqësisht, atyre të cilët nuk na duan të mirën. Në anën tjetër, kemi shumë përpara punë të mëdha, agjenda të cilat shteti duhet ti shtyjë përpara e të cilat tashmë përsëri do të jenë pjesë e një bllokade të radhës.
Ka probleme të natyrave të brendshme, siç është tashmë në mars, Zyra e Rregullatorit për Energji pritet që të marrë vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike dhe vitin e kaluar kam qenë një prej organizatorëve të protestave dhe pikërisht fakti që s'kemi pasur kuvend valid të konstituuar, dhe ZRrE-ja arriti atë kohë që të marrë një vendim jashtë parimeve, të mundshme dhe jashtë asaj që prisnin realisht qytetarët e Republikës së Kosovës. Dhe prapë ZRrE-ja tash do ta ketë luksin, do t'i ketë duart e lira për të marrë çfarëdo vendimi sepse prapë do të kemi mungesë kuvendi në Republikën e Kosovës dhe fatkeqësisht vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës është ai i cili mund t'i kërkojë llogari Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Pra do të pritet një valë e tërë e krizave, pasi jemi edhe në një valë të re të inflacionit. Situata në Iran ka bërë që edhe çmimet e naftës të rriten. Kështu që, më duket situata më e paktë ndoshta që është dashur të ndodhë janë këto zgjedhje, të cilat edhe njëherë siç duket qytetarët do t'i detyrojnë të dalin te kutitë e votimit….