Fyerja e Ballës në Kuvend/ Vokshi: Sulm politik, po goditet opozita dhe gratë deputete! Peleshi … i turpshëm

Një përplasje e fortë verbale u regjistrua dje në Kuvend, ku kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ofendoi rëndë deputeten demokrate Albana Vokshi duke iu drejtuar me shprehjen se për të kishte numrin “0900”.

Deklarata e Ballës shkaktoi reagime të menjëhershme dhe indinjatë nga deputetët e opozitës. Demokratët e cilësuan gjuhën e përdorur si fyese dhe të papranueshme për një institucion si Parlamenti. 

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja Albana Vokshi reagoi për incidentin, duke theksuar se dhuna psikologjike institucionale nuk duhet të ketë vend në Parlament.

Ajo shtoi se situata u menaxhua në mënyrë të turpshme, ndërsa kritikoi edhe heshtjen e deputeteve socialiste për gjuhën seksiste të përdorur nga kreu i grupit parlamentar të shumicës.

Sipas Vokshit, sulmi ndaj saj ishte i qëllimshëm dhe me motiv politik. “Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Kam bindjen se shënjestrimi ishte politik dhe jo i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës, këdo që ngre zërin”, deklaroi ajo.

Deputetja demokrate tha gjithashtu se ka qenë më herët objekt fyerjesh dhe presionesh politike. “E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… është një ndjesë mashtrim që as unë dhe asnjë nga ne nuk e hamë dot”, u shpreh Vokshi.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për kërcënime dhe shantazhe ndaj saj dhe familjes. “Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar për tre muaj duke më hequr të drejtën e fjalës”, deklaroi deputetja gjatë mbledhjes së komisionit.

Vokshi: 

Falënderoj kolegët që u bashkuan në një mendim që dhuna psikologjike institucionale nuk ka vend në Parlament. Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar.

Nuk di se cila prej çështjeve që fola unë e preku kryetarin e grupit tuaj. Unë kam bindjen se shënjestrimi ishte politik, nuk ishte i rastësishëm. Po tentojnë të godasin opozitën dhe gratë deputete të opozitës. Këdo që ngre zërin. E kam vuajtur në lëkurë edhe fyerjen e Edi Ramës. Partia juaj ka pushkatuar gratë. Unë nuk pres ndjesë, të mos tallemi… ndjesë mashtrim që as unë, asnjë nga ne, nuk e hamë dot. Të kalojmë te dhuna që ushtron partia juaj ndaj grave. Më kanë kërcënuar dhe shantazhuar. Më kanë kërcënuar mua dhe vajzën time. Më kanë përjashtuar 3 muaj duke më hequr të drejtën e fjalës.