Neza: Tensionet në Parlament shprehje e arrogancës së qeverisë, synojnë të shtyjnë votimin për Ballukun

Analisti Sami Neza, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, deklaroi se tensionet e fundit në Parlament mund të jenë pjesë e një strategjie të mazhorancës për të dekurajuar opozitën dhe për të shtyrë votimin e planifikuar më datë  12 të muajit, për imunitetin e Belinda Ballukut. 

Sipas tij, nëse votimi shtyhet, atëherë mund të bjerë edhe kërkesa e SPAK për shkak të tejkalimit të afateve, gjë që do t’i krijonte avantazh mazhorancës.

Neza e cilësoi situatën si shprehje të arrogancës së qeverisë dhe theksoi se votimi për çështjen e imunitetit të Belinda Balluku do të ishte moment i rëndësishëm për të parë qëndrimin real të mazhorancës në raport me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Neza:

Po mund të jenë të kombinuara të gjitha këto. Së pari, ajo çfarë ka ndodhur dje në parlament është vijim i tekstit që mazhoranca përdor qoftë tek partia, qoftë tek qeveria. Ne e kemi parë edhe në përgjimet e fundit të ish-zëvendëskryeministres ku teksti i komunikimit lë shumë për të dëshiruar nga ana etike dhe në fakt është pak a shumë një zgjatim ose një transferim i atij lloj teksti në komunikimin e tyre të përditshëm tek parlamenti, në mënyrë që të dekurajojnë aq sa mund të dekurajohet zëri i opozitës në parlament.

Së dyti, kjo mund të jetë, është edhe kombinim, ashtu siç e thatë edhe ju për të krijuar rrethana në mënyrë që tensioni i absorbuar brenda parlamentit të krijojë kushte që të shtyhet votimi ose të mos bëhet votimi me datë 12. Shtyrja e votimit me datë 12 do të thotë se bie automatikisht edhe kërkesa e SPAK-ut për shkak të tejkalimit të afateve, gjë që do të krijonte favore për mazhorancën, e cila në dukje e tejkalon këtë çështje përmes procedurës, domethënë përmes një procedimi, por një procedimi të cilin, si, nëse ky skenar do vijojë është një procedim i cili nuk është tërësisht në duart e socialistëve dhe ata do të përpiqen që ta ndërtojnë këtë lloj skeme. Por, ndërkaq, e gjithë kjo që po ndodh në parlament, por jo vetëm në parlament, është shprehje e qartë e arrogancës së qeverisë.

E një arrogance e cila, mbështetet në tre mandate shumica prej tyre të vjedhura përmes skemës qeveria në zgjedhje dhe ndërtimi i një distance jo vetëm me opozitën në parlament, po ndërtimin e një distance me qytetarët. Ne e kemi parë ditët e fundit, javët e fundit, ku pothuajse të gjitha rrugët, të cilat u ndërtuan tre-katër vitet e fundit, u shembën. Ata nuk kishin një ndjesi falje, një ndjesi keqardhje, një ndjesi përgjegjësie. Përkundrazi, i kërkuan Zotit të kërkonte falje, por jo ata. Në këto kushte opozita duhet të jetë e vëmendshme për të qarkulluar, ose për t'i mëshuar atyre problematikave që furnizojnë qëllimin e saj, po edhe qëllimin e qytetarëve të Shqipërisë.

Ka një problem, në fakt,duket qartë që socialistët përpiqen të copëtojnë narrativën antiqeveritare, përmes skenarëve, përmes skandaleve, me çfarëdo lloj, mjeti.

Dhe në fakt, këtu është edhe qëndrueshmëria, edhe mençuria e opozitës që t'i qëndrojë narrativës antiqeveritare, duke, natyrisht, duke e pasuruar edhe me narrativa të tjera si ajo që ndodhi ditën e djeshme, që ka lidhje me etikën parlamentare, por jo vetëm etikën parlamentare është zgjatim i mungesës së etikës së qeverisjes dhe, dhe po ashtu, siç e thamë, edhe i arrogancës.

E ngre këtë shqetësim për shkak se qeveria dhe e majta në vend ka një mekanizëm të gatshëm për të, për të deformuar narrativa dhe për të ndryshuar narrativa, për të interferuar me narrativën e opozitës dhe këtë gjë e pamë edhe në rastin e protestës së opozitës para tre-katër ditësh.

Kur ajo ia doli që  për disa orë të krijonte një tymnajë sikur kush e di çfarë kishte ndodhur tek blloku përballë vilës së diktatorit. Domethënë, mjaftoi një ndërhyrje e kryetarit të opozitës, zotit Berisha i cili edhe drejtonte protestën, për të shpjeguar dhe për të qartësuar gjithë atë tymnajë, e cila u ndërtua fillimisht nga zyrtarët e qeverisë, më pas nga deputetët e qeverisë, duke vijuar tek institucionet e qeverisë dhe duke u implementuar, zbatuar nga tërë linja e propagandës që fillon tek kryeministri dhe mbaron tek 95% e mediave ndoshta në Shqipëri.

Unë, më vjen mendja që gjëja më e mirë do jetë që të bëhet votimi dhe të verifikohet me vota qëndrimi i mazhorancës në raport me imunitetin e zonjës Balluku dhe po ashtu qëndrimi i mazhorancës në raport me barrierat që qeveria ka propozuar të ndërtohen midis drejtësisë dhe qeverisë, kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, përmes propozimit që ka bërë kryeministri për ndryshime në një nen të Kodit të Procedurës Penale i cili deri tani i jepte mundës institucioneve gjyqësore që të pezullonin ministrat, përfshirë dhe kryeministrin.

Kjo është një, është një moment shumë i rëndësishëm për t'u lexuar në mënyrë të qartë jo vetëm për ne, qytetarët e Shqipërisë, qytetarët e Shqipërisë e kanë të qartë tashmë, por është e rëndësishme për t'u, për t'u regjistruar ky moment edhe për sytë ndërkombëtarëve, edhe për sytë e atyre të cilët në fakt në institucionet,  evropiane kanë bërë edhe avokacinë, edhe lobimin e forcimit të Ramës, në kohën kur opozita në Shqipëri ishte në kulmin e tensionit dhe në kulmin e përballjes me të për shkak të shkeljes së standarteve të demokracisë në vend, por edhe të korrupsionit tashmë të verifikuar edhe nga natyra.