Banori nga Rrjolli: Jemi në gjendje lufte, do ta mbrojmë tokën tonë

Banorët e Rrjollit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave pas përplasjeve me firmën që pretendojnë se u ka marrë pronat. Në një intervistë në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, banori Prek Molla i sapo dalë në qelia deklaroi se komuniteti është në "gjendje lufte" dhe i gatshëm të mbrojë tokat e të parëve "me gjak e me djersë".

Konflikti u ndez sërish pas një vendimi të Gjykatës së Apelit më 23 shkurt, i cili i njohu të drejtën e pronësisë banorit Nikoll Malaj mbi një sipërfaqe prej 2.1 hektarësh. Sipas zotit Molla, ky vendim, ndonëse një hap pozitiv, është i pamjaftueshëm, pasi gjykata i ka kthyer vetëm një pjesë të pronës që nuk preket nga projekti i resortit, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pazgjidhur. Molla theksoi se prona në fjalë, përfshirë shtëpinë ku kanë lindur breza të tërë të familjes Malaj, i ishte marrë në mënyrë të padrejtë.

"Tani nuk ka më asnjë lloj marrëveshjeje," tha Molla gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, duke shtuar se përplasjet e fundit me punonjësit e sigurisë së firmës ndërtuese i kanë dhënë fund qasjes paqësore. Ai pohoi se komuniteti është plotësisht i bashkuar në këtë kauzë, duke hedhur poshtë çdo pretendim për përçarje. "Kushdo që mendon ndryshe, nuk është nga fshati Rrjoll," deklaroi ai.

Flavio Qarri: Duket se, ja, keni dalë të krijoni një ndërgjegjësim të madh publik, por mbi të gjitha ka një paqartësi të vogël që është anashkaluar në ditët e fundit, veçanërisht pas vendimit të apelit, i cili njeh një prone të një banori.

Prek Molla: Përsa i përket pronës që është fituar në gjykatën e apelit me datën 23 shkurt të vitit 2026, ajo pronë, është fituar me dokumentacion, për arsye sepse dokumentacioni ishte i saktë dhe përputhej me ligjin, ku u vërtetua vërtetësia e personit Nikoll Malaj. Nikoll Malaj është një nga banorët e fshatit Baks-Rrjoll, të cilit i është mohuar dhe i është marrë nga falsifikatori Fatmir Shpellzaj, i është marrë edhe shtëpia ku ka lindur gjyshi i tij, ku ka lindur babai i tij, ku ka lindur dhe vetë Nikolla. Por, gjykata e Apelit të Tiranës i tha që të ka mbetur një copë aty, një, 2.1 hektar dhe ata do ta jap, kurse pjesën tjetër ti drejtohet Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të Shkodrës, për arsye sepse është një procedurë tjetër.

Flavio Qarri: Tani, një sekondë, prona është brenda njollës së lejes apo jo? Se, firma pretendon që jo.

Prek Molla: Jo, është në një, cep të saj.

Flavio Qarri: Po a preket apo jo? Se kjo e përcakton shumë fatin e çështjes.

Prek Molla: Gjykata e apelit e ka vendosur atje ku nuk prek, resortin, por, theksoj, shtëpinë ku ka lindur zotëria, sepse deri tani atij zotërisë i kanë thënë ti s'ke shtëpi fare këtu, unë të kam lënë ty me jetu. Kurse sot gjykata u shpreh, po, që familja Malaj ka qenë aty dhe ka prona aty sipas dokumenteve të pronësisë. Por gjykata u shpreh se unë ta kam dhënë atë që s'ta kanë marrë.

Flavio Qarri: Që do të thotë, në ç'kushte janë sot në 6 mars banorët e Rrjollit?

Prek Molla: Atëherë, ne jemi në gjendje lufte. Me të vërtetë jemi në gjendje lufte dhe do ta vazhdojmë luftën. Ne kemi vendosur fillimisht të jemi paqësorë dhe ashtu kemi vepruar deri në ditët e fundit. Pas përplasjeve të firmës Breçani, me neve, aty ka filluar dhe acarimi midis palëve, ku tani nuk ka më asnjë lloj marrëveshje, përveçse asaj që do të mbrohet ajo tokë me gjak dhe me djersë.

Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë, ka pasur komente, jeni të gjithë tani në të njëjtën mendje apo ka banorë, bashkëfshatarë tuaj që mendojnë ndryshe, veprojnë ndryshe? Jeni të solidarizuar?

Prek Molla: Ai që mendon ndryshe, nuk është nga fshati Rrjoll, sepse unë me ta kam qenë edhe mbrëmë, tek emisioni Opinion te Fevziu. Kemi qenë të gjithë bashkë dhe, unë e kam mendimin e tyre dhe ata janë me mua, janë me tokën e tyre, janë me të parët e tyre dhe do t'ju dalin zot të parëve të tyre deri në vdekje.

Ata që thonë, që ka përçarje ose ka dikush që ka marrë ndonjë gjë sadopak, le të dali përballë dhe ta thonë me emër dhe me zë. Kaq kam për të thënë.

Flavio Qarri: Kur është protesta e radhës?

Prek Molla: Mbrëmë kemi ardhur vonë sepse ishim edhe atje ku të thashë në atë emision. Sot, kemi ca punët tona familjare, nesër do të jetë aktiviteti i radhës.

Flavio Qarri: Që nesër domethënë?

Prek Molla: Po, por, disa persona janë të ndaluar. Ata kujtojnë edhe se mendojnë se 20 persona të fshatit që mendojnë ata se janë problematikë, i kanë ndaluar për të hyrë në territorin e firmës Gener 2. Por ne kemi jo 20, por ne kemi 200 persona që do të mblidhen nesër dhe pasnesër, që do të hyjnë në kantier me forcë dhe do të marrin para çdo njeri që pretendon që tenton të marrë pronat tona.