Shqetësime për sigurinë në Botërorin 2026, Iraku rrezikon të mos marrë pjesë në 'play-off'
Përgatitjet për Kupën e Botës 2026 po shoqërohen me shqetësime të shumta për sigurinë dhe logjistikën, ndërsa tensionet ndërkombëtare dhe situata në disa rajone të botës po ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e turneut.
Në Mexico City u zhvillua një mbledhje e posaçme për sigurinë, e drejtuar nga ministri meksikan i sigurisë, Omar García Harfuch, ku morën pjesë përfaqësues të FIFA-s. Takimi kishte për qëllim koordinimin e masave mbrojtëse për turneun, mes shqetësimeve për dhunën e karteleve të narkotrafikut në Meksikë dhe tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.
Autoritetet meksikane kanë garantuar se do të merren të gjitha masat për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve dhe tifozëve që do të udhëtojnë drejt vendit gjatë Botërorit. Në këtë proces janë përfshirë edhe autoritetet e tri qyteteve që do të presin ndeshjet: Monterrey, Mexico City dhe Guadalajara. Takimi u zhvillua me nismën e presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum.
Ndërkohë, një problem tjetër lidhet me pjesëmarrjen e Kombëtarja e Irakut në “play-off”-et ndërkontinentale për Botërorin. Iraku duhet të përballet më 31 mars në Monterrey me fituesen e çiftit mes Bolivi-Suriname.
Megjithatë, udhëtimi drejt Meksikës mund të bëhet shumë i vështirë për irakianët për shkak të mbylljes së disa hapësirave ajrore, problemeve me vizat dhe vështirësive të tjera që lidhen me situatën e tensionuar në rajon.
Një skenar tjetër i mundshëm është që FIFA të përjashtojë Kombëtaren e Iranit nga garat për shkak të situatës së luftës. Nëse kjo ndodh, Iraku shihet si kandidati më i mundshëm për ta zëvendësuar, çka do t’i jepte më shumë kohë për të organizuar udhëtimin drejt Meksikës.