Klubet në Spanjë kërkojnë kufizimin e transferimeve të futbollistëve të mitur

Gjithnjë e më shumë klube në Spanjë po kërkojnë vendosjen e kufizimeve për transferimin e futbollistëve të mitur, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe zhvillimin në një mjedis më të qëndrueshëm. Shumë prej tyre propozojnë që lojtarët nën moshën 16 vjeç të mos lejohen të transferohen nëse jetojnë në një komunitet tjetër autonom.

Shumë klube ëndërrojnë të zbulojnë “Messin e ri” apo talente si Cristiano Ronaldo, Lamine Yamal apo Kylian Mbappé në një moshë shumë të re. Një shembull i njohur është transferimi i Messit te Barcelona në moshën 13-vjeçare për t’u bashkuar me akademinë e famshme La Masia. Megjithatë, shumë klube besojnë se kjo praktikë shpesh dëmton mirëqenien e fëmijëve, të cilët detyrohen të largohen nga familja dhe mjedisi i tyre.

Álex García, përgjegjës për familjet dhe mbrojtjen e të miturve te RCD Espanyol, theksoi se nuk duhet të krijohet ideja se para moshës 16-vjeçare ekziston një projekt serioz sportiv shumë larg shtëpisë. Sipas tij, largimi i një të mituri nga familja rrallë përfundon mirë. Klubi katalanas ka vendosur që të mos ketë lojtarë nën 16 vjeç nga jashtë Katalunjës.

Edhe klube të tjera ndajnë të njëjtin shqetësim. Presidenti i Racing Santander, Manuel Higuera, kritikoi rolin e agjentëve në akademi, duke e quajtur të papranueshme “tregtinë e fëmijëve”, ndërsa theksoi se vetëm një në 100 mijë talente arrin të bëhet futbollist profesionist.

Edhe LaLiga ka shqyrtuar mundësinë e vendosjes së kufizimeve, por thekson se legjislacioni spanjoll është kompleks dhe vendimet varen kryesisht nga qeveria. Ndërkohë, FIFA lejon transferimet ndërkombëtare vetëm pasi një lojtar mbush 18 vjeç, me disa përjashtime të veçanta, të cilat përfshijnë rastet familjare, humanitare ose kur lojtari jeton pranë kufirit të një shteti tjetër.