Di María kritikon Atletico Madridin: Është një klub i çuditshëm
Ish-sulmuesi i Real Madridit, aktualisht lojtar i Rosario Central, Ángel Di María, ka bërë kritika të forta ndaj mënyrës se si Atletico Madridi menaxhon lojtarët e tij argjentinas. Ai u shpreh se klubi nuk lejon zhvillimin e duhur të futbollistëve dhe shpesh i demotivon ata.
Në një intervistë për radios ‘La Red’, Di María tha: “Është një klub pak i çuditshëm. Kur gjërat shkojnë mirë, shkojnë mirë. Por pastaj, papritmas, ata duket se demotivojnë lojtarët. Fillojnë të zhduken. Kjo ndodh me shumicën e atyre që kalojnë aty. Janë të paktë ata që arrijnë të kenë një rrjedhë ndeshjesh si titullarë dhe të mos dalin nga ekipi.”
Aktualisht, skuadra e Atletico Madridit ka gjashtë lojtarë argjentinas: sulmuesit Julián Álvarez, Giuliano Simeone (djali i Diego Simeones) dhe Nicolás González; mbrojtësin Nahuel Molina, mesfushorin Thiago Almada dhe portierin Juan Musso. Megjithatë, Di María theksoi se kur këta lojtarë luajnë për përfaqësuesen e Argjentinës, performanca e tyre ndryshon: “Kur veshin fanellën e kombëtares, ata transformohen. Luajnë në mënyrë fantastike dhe e duan të jenë në përfaqësuese.”
Gjatë periudhës 2010–2014, Di María përfaqësoi Real Madridin dhe u përball me Atletico Madridin në 15 ndeshje, me 11 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, përfshirë finale të Champions League 2013/14 dhe të Kupës së Mbretit 2012/13. Ai ka luajtur kundër Atleticos edhe me Benfica-n, ku ndeshja e fundit e Champions përfundoi me fitoren 4-0 të portugezëve.