Irani targeton Emiratet e Bashkuara Arabe! Ministri: Mbrojtja ajrore po neutralizon raketat
Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se mbrojtja ajrore po i përgjigjet sulmeve iraniane.
Ministria e Mbrojtjes në Emiratet e Bashkuara Arabe ka njoftuar se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po reagojnë ndaj kërcënimeve me raketa dhe dronë që vijnë nga Irani
Në një deklaratë të shkurtër, ministria theksoi se “zhurmat e dëgjuara në zona të ndryshme të vendit janë rezultat i sistemeve të mbrojtjes ajrore që po ndërpresin raketa balistike, si dhe i avionëve luftarakë që po neutralizojnë dronë dhe municione fluturuese”.
Kjo deklaratë vjen pak pasi Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se deri më tani gjatë ditës kanë interceptuar gjashtë raketa iraniane dhe 131 dronë. Një raketë dhe gjashtë dronë kanë rënë në territorin e vendit.
Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) njoftoi se ka pezulluar operacionet në qendrën e saj globale të logjistikës për emergjenca në Dubai, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Duke folur në një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se aktivitetet në këtë qendër janë aktualisht të pezulluara për arsye sigurie.
Sipas drejtores rajonale të OBSH-së për Mesdheun Lindor, Hanan Balkhy, gjatë vitit të kaluar kjo qendër përpunoi më shumë se 500 kërkesa emergjente për 75 vende në mbarë botën.
OBSH theksoi se operacionet e qendrës janë “pezulluar përkohësisht për shkak të pasigurisë, mbylljes së hapësirës ajrore dhe kufizimeve që ndikojnë në qasjen drejt Strait of Hormuz”.