Petrit Vasili: Për llogari të kujt e ka bërë këtë lojë të dyfishtë Hoxha?

Nga Petrit Vasili

Denoncim shumë i rëndë për Ministrin e Jashtëm!

Sot Tedi Blushi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PL, denoncoi publikisht, në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, fakte shokuese për Ministrin e Jashtëm të sapo votuar, Ferit Hoxha.

Ministri i Jashtëm i dekretuar dhe votuar nga Rilindja në Kuvend, Ferit Hoxha, rezulton me fakte të pakundërshtueshme pa integritet shtetëror dhe me veprimtari të dyfishtë dhe shumë të dyshimtë.

Duke qenë kryenegociator i Marrëveshjes së Detit në vitin 2009 dhe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha i përcillte në mënyrë të fshehtë informacione medias, duke trafikuar dokumente dhe një qëndrim totalisht të kundërt me qëndrimin shtetëror të firmosur po prej tij.

Për llogari të kujt e ka bërë këtë lojë të dyfishtë Hoxha?

Sa është shkalla e komprometimit të tij dhe deri në çfarë thellësie shkon ky komprometim?
A ka përfshirje interesash të huaja të vendeve të tjera në veprimet e Hoxhës?

Cila është shkalla e komprometimit politik me Partinë Socialiste, ndërkohë që mbulonte një pozitë shtetërore, që me ligj është tërësisht apolitike, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme?

Presidenti i Republikës nuk mund të procedojë me betimin e këtij ministri pa verifikuar e shteruar këto çështje me përgjegjësi të lartë shtetërore.

Pa i shkuar deri në fund përgjigjes së këtyre pyetjeve, ministri i Jashtëm i Shqipërisë rezulton të jetë personi më i gabuar për këtë post me përgjegjësi shumë të larta dhe tepër delikate shtetërore.

As arroganca e Ramës e Ballës dhe as mosveprimet eventuale të Presidentit Begaj nuk i zhbëjnë dot faktet thellësisht komprometuese, përveçse rëndojnë me përgjegjësi shumë të madhe edhe ata vetë.

Shqipëria dhe interesat e saj janë madhore dhe interesat e çdo individi janë asgjë përpara tyre.