Rabiot: Te Milani erdha për të fituar, Allegri dhe Ibrahimovic janë shembuj për të gjithë

Mesfushori francez, Adrien Rabiot, është shprehur i kënaqur me ndikimin që ka pasur te Milani, duke theksuar se që në fillim e kishte pritur një përshtatje të shpejtë me skuadrën kuqezi.

Në një intervistë për revistën “Undici”, Rabiot theksoi se ai nuk e konsideron veten një lojtar egoist, por një futbollist që punon për kolektivin. Sipas tij, një lojtar i vetëm nuk mund ta ndryshojë ekipin, por mund të japë një kontribut të rëndësishëm në fushë dhe jashtë saj.

“E prisja një ndikim të menjëhershëm, sepse për këtë arsye erdha te Milani. Mundohem të ndihmoj skuadrën edhe me komunikimin në fushë, duke i mbajtur shokët të përqendruar dhe duke dhënë shembull me përkushtimin tim”, u shpreh mesfushori francez.

Ai shtoi se përpiqet të jetë një model për lojtarët e rinj, duke u përqendruar te stërvitja, rikuperimi dhe një stil jetese profesional. Sipas tij, forca mendore është një nga cilësitë që e karakterizojnë më shumë.

Rabiot foli edhe për disa nga figurat e rëndësishme në klub. Ai pranoi se është befasuar nga niveli fizik i Luka Modrić, i cili edhe në moshën 40-vjeçare arrin të vrapojë pa pushim gjatë gjithë ndeshjes.

Mesfushori francez vlerësoi edhe trajnerin Massimiliano Allegri, me të cilin ka punuar më parë edhe te Juventusi. Sipas tij, “Allegri vazhdon të ketë të njëjtin mentalitet fitues dhe kërkon nga lojtarët përkushtim maksimal në çdo ndeshje”.

Në fund, Rabiot përmendi edhe ndikimin e Zlatan Ibrahimović, të cilin e konsideron një “shembull për mentalitetin dhe mënyrën si përballon përgjegjësitë”.

Objektivi i mesfushorit është i qartë: të fitojë trofe me Milanin dhe të shkruajë emrin e tij në historinë e klubit, ashtu siç ka bërë më parë me Paris Saint‑Germain dhe Juventusin. Përtej klubit, ai pranon se ëndrra më e madhe mbetet fitimi i Kupës së Botës me Francën.