Latifi vendos sfidën, Shkëndija rrëzon Vardarin dhe ndez garën për titull

Shkëndija mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Vardari, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në një sfidë shumë të luftuar të kampionatit të Maqedonisë së Veriut.

Heroi i ndeshjes ishte ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Liridon Latifi, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 66-të. Sulmuesi përfitoi nga një aksion i mirë i skuadrës së tij dhe, pas asistit të Besart Ibraimi, dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë avantazhin vendimtar ekipit nga Tetova.

Ky gol rezultoi vendimtar për fatin e sfidës dhe i dhuroi Shkëndijës tri pikë shumë të vlefshme në garën për titull. Me këtë sukses, diferenca në krye të renditjes është ngushtuar ndjeshëm, pasi Vardari mban vendin e parë vetëm me një pikë më shumë se rivalët e drejtpërdrejtë.

Takimi i javës së 21-të nuk u mbyll pa tension. Pas vërshëllimës përfundimtare pati përplasje mes futbollistëve në fushë, ndërsa edhe tifozët vendas reaguan me nervozizëm për rezultatin e ndeshjes.

Fitorja i jep një shtysë të madhe Shkëndijës në fazën vendimtare të sezonit. Pas eliminimit nga garat europiane, skuadra tetovare do të përqendrojë të gjitha energjitë vetëm te kampionati, ku tashmë gara për titull është bërë edhe më e fortë.