Pse e sulmoi Irani Azerbajxhanin?
Ndryshe nga vendet e Gjirit Persik dhe rajoni i Kurdistanit të Irakut, Azerbajxhani nuk njihet si një vend që ka baza ushtarake amerikane në territorin e tij, gjë që ngre pyetjen se pse u sulmua.
Irani, siç shkruan BBC , nuk e deklaroi arsyen e lëshimit të dronëve drejt aeroportit në rajonin autonom të Nakhçivanit, por një shpjegim i mundshëm mund të jetë se Azerbajxhani, i cili ndodhet në kufirin veriperëndimor të Iranit, është një partner i ngushtë strategjik i Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit, një shtet laik me shumicë popullsie myslimane shiite, dhe Izraelit janë thelluar që nga vitet 2000. Azerbajxhani është një blerës i madh i armëve izraelite, Izraeli importon sasi të konsiderueshme të naftës azere dhe besohet se të dy vendet bashkëpunojnë ngushtë në aktivitetet e inteligjencës, veçanërisht në lidhje me mbikëqyrjen e Iranit.
Irani e ka akuzuar prej kohësh Azerbajxhanin se lejon shërbimin e inteligjencës Mossad të Izraelit të veprojë në territorin e tij, duke përfshirë ndihmën ndaj agjentëve të Mossad për të vrarë shkencëtarët bërthamorë iranianë. Azerbajxhani i mohon kategorikisht këto akuza.Ndryshe, Prokurori i Përgjithshëm i Azerbajxhanit nisi një hetim penal në lidhje me sulmin me dron të mëngjesit të sotëm në rajonin e Nakhchivanit, një enklavë autonome që kufizohet me Iranin dhe Armeninë.
Në deklaratë thuhej se sulmi “dëmoi ndjeshëm” pjesë të Aeroportit Ndërkombëtar të Nakhchivanit dhe “qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme” ndërpreu operacionet e tij.
Shtohet se është nisur një hetim mbi "origjinën dhe rrugën e fluturimit" të dronëve. Megjithatë, thuhet se rajoni "u sulmua nga territori i Republikës Islamike të Iranit".
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e përshkroi sulmin si një "akt terrorist" kundër vendit të tij dhe bëri thirrje që Irani të "mbahet përgjegjës", raportoi agjencia shtetërore e lajmeve APA.
BBC raporton se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Iraniane mohoi çdo përfshirje në incident dhe tha se "këto veprime kryhen nga Izraeli për të dëmtuar marrëdhëniet midis vendeve myslimane".