SYRI TV/ Baleti ‘Lola’ rikthehet pas 25 vitesh në TKOB, dashuri, luftë dhe hakmarrje…

Baleti dramatik “Lola” rikthehet pas 25 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit duke sjellë një histori dashurie, tradhtie dhe rezistence në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez. Me muzikë nga Sergei Vasilenko dhe një produksion të ri skenik, shfaqja vendos në qendër figurën e një gruaje të fortë duke e kthyer Lolën në simbol të guximit dhe sakrificës femërore.

Syri tv

Pas një mungese prej 25 vitesh, baleti dramatik “Lola” rikthehet në skenën e , duke sjellë një histori të fuqishme dashurie, tradhtie dhe hakmarrjeje në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez. Në një fshat malor të Katalonjës, festa e korrjes ndërpritet nga hija e pushtimit. Dashuria mes Pablos dhe Lolës vihet në provë, ndërsa xhelozia, krenaria dhe lufta ndryshojnë fatet e personazheve. Konsuela bie në duart e francezëve, Minguelli përballet me dilema mes pasurisë dhe ndërgjegjes, ndërsa partizanët ngrihen në male për liri.

Në qendër të kësaj historie qëndron Lola, një figurë e fortë dhe e vendosur, e cila hyn në kampin francez me një mision të qartë, hakmarrjen. Dhimbja personale shndërrohet në një akt guximi dhe rezistence, duke e kthyer Lolën në simbol të forcës dhe sakrificës femërore. Me muzikë nga kompozitori rus Sergei Vasilenko dhe me një gjuhë koreografike të ngarkuar emocionalisht, baleti vjen në një produksion të ri që sipas drejtorit të baletit Edi Blloshmi, ruan konceptin e veprës së parë, por i jep asaj një energji të re skenike.

Në këtë rikthim të shumëpritur, rolin e Lolës e interpreton prima balerina Adela Muçollari, e cila përballet me një sfidë të re artistike, duke eksploruar një dimension tjetër të interpretimit të saj skenik.

Ndërsa në rolin e Minguellit rikthehet balerini Dion Gjinika, i cili pas më shumë se dy dekadash i jep personazhit një interpretim të ri, të mbështetur në përvojën e fituar në skenë.

“Lola” do të ngjitet në skenë në datat 6, 7 dhe 8 mars, në orën 19:00, duke sjellë një histori ku dashuria, lufta dhe sakrifica ndërthuren në një rrëfim skenik që vendos në qendër forcën dhe dinjitetin e gruas.