'Qeveria ka ulur pagat e mësuesve padrejtësisht'/ Xhixho: Amendimi ynë do të paguajë pagat e munguara

Deputetja e Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho, përpara Parlamentit, denoncoi sot vendimin e qeverisë që ka ulur pagat e mijëra mësuesve për 1 vit e gjysmë.

“Rreth 11 mijë mësues kanë marrë pagë më të ulët se kolegët e tyre për të njëjtën punë. Ata protestuan, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, por qeveria sillet si ‘hero’, pa kërkuar ndjesë dhe pa paguar diferencën që u takon,” tha Xhixho.

Sipas saj, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26.06.2024, ka shkelur të drejtën e pagës së mësuesve, duke i trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe duke penalizuar disa me 2 000–6 000 lekë të reja në muaj për rreth 20 muaj. Ky vendim ka prekur edhe mësues me 20–30 vite përvojë në sistemin arsimor.

Xhixho kritikon edhe projektligjin e propozuar nga deputetja Evis Kushi, duke thënë se ka paqartësi dhe nuk adreson problemet e karrierës për mësuesit që kanë përfunduar studimet para sistemit të Bolonjës. Projektligji nuk parashikon as pagën e munguar për 20 muaj.

“Kam depozituar një amendim që kërkon shtrirjen e efektit financiar që nga data 26.06.2024, për të siguruar që mësuesit të paguhen për gjithë periudhën kur nuk kanë marrë pagën që u takon. Bëhet fjalë për bukën e gojës, jo për luks,” tha deputetja.

Xhixho theksoi se argumenti që ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese nuk qëndron, duke kujtuar vendimin e qeverisë për faljen e dividentit për oligarkët. “Kush nuk voton sot këtë amendament, dëshmon se është armik i mësuesve,” përfundoi ajo.

Xhixho:

Rreth 11 mijë mësues  kanë 1 vit e gjysmë që marrin pagë më të ulët se kolegët e tyre për të njëjtën punë. Ata protestuan, kërkuan të dëgjohen, iu drejtuan edhe Gjykatës Kushtetuese. 
Sot, qeveria nuk mund të sillet si “hero”, sikur po zgjidh një problem që vetë e ka krijuar, pa kërkuar ndjesë dhe pa paguar diferencën e munguar për këto muaj padrejtësie.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26.06.2024, u ka shkelur të drejtën e pagës mijëra mësuesve në të gjithë vendin, duke i trajtuar në mënyrë të pabarabartë për të njëjtën punë, krahasuar me kolegët e tyre. 
Mësuesit e prekur nga VKM , janë penalizuar me ulje page nga 2 000 deri në 6 000 lekë të reja në muaj, për rreth 20 muaj. 
Kjo ka sjellë një dëm financiar të padrejtë dhe ka krijuar pabarazi mes kolegësh. Kjo VKM ka prekur edhe mësues me 20–30 vite përvojë në sistemin arsimor.
Kjo VKM është ajo që do rriste pagat e mësuesve por që në realitet rezultoi mashtrim.

Ndërkohë, projektligji i propozuar nga deputetja Evis Kushi, në formën aktuale, ka paqartësi dhe rrezikon të krijojë sërish diskrimin, gjithashtu nuk adresoi shqetësimin e mësuesve për karrierën e atyre që kanë përfunduar studimet para sistemit të Bolonjës.
Për më tepër, ky projektligj nuk parashikon PAGËN E MUNGUAR të mësuesve dhe edukatorëve për rreth 20 muaj për shkak të një vendimi të gabuar të qeverisë.

Ndaj kam depozituar një AMENDIM të këtij pr.ligji që do diskutohet, që ky pr.ligj të shtrijë efektet financiare nga data 26.06.2024 kur ka filluar ulja e pagës, që të sigurojmë që mësuesit të paguhen edhe për 20 muaj që nuk e kanë marrë pagën që i takon.
Bëhet fjalë për bukën e gojës së mësuesve dhe jo për luks, bëhet fjalë për një padrejtësi që kjo qeveri e ka shkaktuar dhe tani shfaqet sikur po i bën dhuratë për 7 Mars mësuesve . Një mashtrim që çdo mësues e di shumë mirë.

Argumenti se ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese që u përdor në debatin në Komision nuk qëndron.
Mjafton tju kujtoj vendimin antikushtetues të kësaj qeverie për faljen e dividentit per oligarkët duke i falur miliona euro për oligarkët.
Ndërkohë që ky propozim synon të japi atë që i takon mësuesve në 20 muaj kur kanë marrë pagë më të ulët se kolegët e tyre.

Ndaj kush nuk voton sot këtë amendament, dëshmon që është armik i mësuesve.