Mesfushori i Sllovakisë paralajmëron sfidë të vështirë ndaj Kosovës: Është kundërshtar i pakëndshëm

Mesfushori i Slovakisë, László Bénes, ka folur për përballjen e rëndësishme ndaj Kosovës në kuadër të “play-off”-it për kualifikimin në Botëror.

“Dardanët” do ta zhvillojnë ndeshjen e parë më 26 mars në “National Football Stadium” në Bratislavë, ndërsa fituesi i këtij dueli do të ketë mundësinë të luajë në finalen e “play-off”-it ndaj fituesit të çiftit Turqi-Rumani.

Futbollisti 28-vjeçar, i cili aktivizohet me Kayserispor në Süper Lig, e vlerësoi lart Kosovën, edhe pse pranoi se për sllovakët është një kundërshtar jo shumë i njohur.

“Pas disa javësh kemi një ndeshje shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Të gjithë e dimë për çfarë po luajmë. Kosova është një kundërshtar i panjohur për ne, kundër të cilit nuk kemi luajtur më parë”, deklaroi fillimisht Bénes.

Mesfushori sllovak theksoi se forma e mirë e Kosovës në ndeshjet e fundit e bën përballjen edhe më të vështirë për ekipin e tij.

“E di që ata kanë humbur vetëm një herë në 10 ndeshjet e fundit dhe padyshim që do të jenë një kundërshtar i vështirë dhe i pakëndshëm”, shtoi ai.