Mesfushori i Milanit para derbit: Kundër Interit duhet ndeshja perfekte

Mesfushori i Milani, Samuele Ricci, ka folur për “SportMediaset” në prag të derbit të madh ndaj Interit, që do të zhvillohet të dielën më 8 mars në “San Siro”, duke nisur nga ora 20:45.

Futbollisti kuqezi analizoi situatën e skuadrës në renditje, objektivat për sezonin dhe marrëdhënien me trajnerin Massimiliano Allegri.

Ricci theksoi se objektivi kryesor i Milanit këtë sezon mbetet rikthimi në UEFA Champions League.

“Ne mendojmë për objektivin tonë, ta rikthejmë Milanin në Champions League. E kemi thënë që në korrik. Për momentin jemi në një pikë të mirë, edhe pse më parë kemi humbur pikë që mund t’i kishim shmangur. Kemi një avantazh të mirë, por ende nuk ka përfunduar asgjë dhe na duhen shumë pikë për të hyrë në Champions”, u shpreh ai.

Mesfushori italian nuk e fshehu se në skuadër ekziston edhe ëndrra për titullin kampion, megjithëse tani fokusi është te derbi.

“Ëndrra për titull ekziston gjithmonë, sepse ne jetojmë me ëndrra. Por tani mendojmë për ndeshjen, është gjithsesi një derbi dhe duhet përballuar në mënyrë perfekte. Kundër Interit duhet një ndeshje perfekte”, deklaroi Ricci.