Shehu: Shqipëria braktis qytetarët e vet, parlamenti nuk thotë asgjë për 3000 shqiptarët jashtë vendit
Tritan Shehu, deputet i PD gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se Shqipëria po mban një qëndrim heshtjeje të plotë dhe diskriminues ndaj qytetarëve të saj, duke i lënë ata në harresë përballë problemeve të mëdha me të cilat po përballen.
Ai theksoi se Parlamenti shqiptar ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare dhe të qartë ku të shprehë mbështetjen për SHBA-në në përpjekjet e saj për të parandaluar “terrorizmin iranian, armatosjen me armë bërthamore të Iranit dhe sulmet ndaj vendeve të rajonit”.
Ky cilësohet si një detyrim që parlamente të tjera e kanë përmbushur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë po qëndron në heshtje. Në fjalën e tij, u kërkua llogari specifike për fatin e 3000 shqiptarëve.
Deputeti opozitar ngre pyetje direkte për masat që janë marrë, planet e mundshme të evakuimit dhe arsyet se përse nuk është krijuar ende një unitet krize si një organizëm ndërinstitucional për të menaxhuar situatën.
Një tjetër akuzë e rëndë iu drejtua Ministrisë së Jashtme, e cila, sipas deputetit, po i fsheh deklaratat zyrtare pas veprimeve që qeveritë e huaja po ndërmarrin për refugjatët në përgjithësi, gjë që nuk lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë e shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të vet.
Duke e quajtur situatën një “braktisje absolute” të qytetarëve shqiptarë në vështirësi të mëdha, Shehu bëri një thirrje urgjente që seanca parlamentare të ndërpritet për t'i dhënë përparësi raportimit dhe diskutimit të kësaj çështjeje kritike.
Deklarata e plotë:
"Shqipëria ka heshtje të plotë. Ka realisht një situatë diskriminuese ndaj shqiptarëve, një braktisje të shqiptarëve në ato vende të vështira, në ato mënyra, në ato jetë të vështirë që po bëjnë dhe në ato probleme të mëdha që po ndodhin atje.
Ashtu si akoma, ky parlament nuk ka dalë me një, me një deklaratë të tij të qartë, zyrtare, që është në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto përpjekje për të prevenuar terrorizmin iranian, armatosjen me armë bërthamore të Iranit dhe sulmet që po bëhen ndaj vendeve të tjera të rajonit.
Kjo është detyrë e këtij parlamenti të dali zyrtarisht për këtë gjë, siç kanë dalë parlamentet e tjera.
Nuk mund të heshtim, nuk mund të rrimë pa pa thënë qartësisht gjërat duke vënë pikat mbi i, në pozicionin e parlamentit shqiptar në këto momente që po kalon Lindja e Mesme, në këto momente të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe luftuar terrorizmin, jo vetëm në atë zonë, por shumë më gjerë.
Pra, në këto dy elementë duhet të dalim.
E para, duhet raportuar këtu qartësisht ç'po bëhet me 3000 shqiptarët? Çfarë masa janë marrë? Çfarë problemi i evakuimit? Çfarë po merret për evakuimin e tyre? Pse s'është krijuar uniteti i krizës si një organizëm ndërinstitucional në Shqipëri? Pse nuk raportohet përditë për këtë gjë?
Po fshihen deklaratat zyrtare të Ministrisë së Jashtme mbas atyre që po, mbas atyre elementëve që po bëjnë qeveritë e atyshme për refugjatët e tjerë siç janë atje apo për të huajt që janë atje. Ajo është tjetër gjë.
Në qoftë se i japin mëngjesin falas ato qeveri apo i vënë të të të të akomodohen diku. Rëndësi ka ç'po bën qeveria shqiptare dhe s'po bën asgjë.
Në mënyrë absolute i ka braktisur shqiptarët, ka braktisur qytetarët shqiptarë në vështirësitë e mëdhaja që ata janë. Prandaj urgjentisht kërkoj këtu të ndalojë parlamenti, të raportohet për këtë element, të diskutohet. Faleminderit".