Shbëhet ‘Sterilizilimi’, dënimi më i madh 4 vite burg, 6 të pandehur asnjë ditë burg për aferën - GJKKO jep pafajësi për grup kriminal
VIDEO SYRI TV
Pas më shumë se 6 vitesh hetime, dhe në të njëjtin vit kur mbaron kontrata koncesionare që kushtroi 153 milion euro, Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për dënimin e të pandehurve për dosjen e Sterilizimit, dhe dënimin më të lartë që dha ishte ai për Klodian Rrjepajn, ish-z. ministrin e Shëndetësisë me 4 vite burg. Po kaq u dënua edhe biznesmeni që fitoi koncesionin Ilir Rrapaj, dhe për më tepër, ra një nga akuzat kryesore ajo e grupit të strukturuar kriminal dhe u dënuan vetëm për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim.
VENDIMI I GJKKO
KLODIAN RJEPAJ, u dënua me 6 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 4 vite burgim
ILIR RRAPAJ, u dënua me 6 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 4 vite burgim
MARSELA SERJANI, u dënua 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg
SAMIR KADIU, u dënua 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg
PETRAQ MERSINI, u dënua 3 vite 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar iu ul në 2 vite e 4 muaj, iu konvertua në 24 muaj shërbim prove
ARBEN GJATA, u dënua me 3.5 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar iu ul në 2 vit e 4 muaj, dënimi pezullohet dhe rektori vendoset në shërbim prove për 24 muaj
GENCI BYRAZERI, u dënua me 1.6 muaj burg, iu konvertua në 80 orë pune në interes publik
NAILE AJAZI, u dënua me 2 vite shërbim prove
Vetëm Rrjepaj e Rrapaj do të bëjnë edhe disa muaj burg, pasi 6 të pandehurit e tjerë, shumica anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u dënuan ose me shërbim prove ose punë në komunitet.
Në një procedim tjetër të ndarë, me gjykim të zakonshëm, Beqaj po insiston se nuk është hajdut dhe se nuk ka patur grup kriminal, dhe vendimin e kësaj të mërkure, pritet ta përdor si argument në procesin ndaj tij.
Kujtojmë se SPAK shkoi vetëm me akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim nga Beqaj, ndërsa zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj akuzohej për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumentave”, “Shpërdorim detyre” e biznesmeni Ilir Rrapaj vetëm për mashtri.
Gjyqtarja e seancave paraprake Flojera Davidhi, sugjeroi prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, të hetonin për vjedhje duke shpërdoruar detyrën si grup i strukturuar kriminal, sugjerim që ndonëse mes hezitimit, SPAK e pranoi, por që iu rrëzua këtë të mërkurë nga një tjetër trupë gjykuese e përbërë nga Bib Ndreca relator, Elsa Ulliri dhe Flora Hajredinaj anëtare.
Kontrata e partneritetit publik privat të sterilizimit, i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 153 milionë euro, është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë.
Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.
Rrapaj zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese. Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin, hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit. Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”