Shehi, pas humbjes me Dinamon: E dinim që përmbysja ishte e vështirë, vuajtëm në tranzicion

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, komentoi eliminimin nga Kupa e Shqipërisë pas humbjes 2-0 ndaj Dinamos në “Air Albania”, duke pranuar se përmbysja ishte një mision i komplikuar që në start.

Tekniku i Tiranës theksoi se skuadra e tij ishte e vetëdijshme për shkallën e vështirësisë. “Që në fillim e dinim se do të ishte e vështirë për ta përmbysur rezultatin. Kur pëson gol, gjithçka bëhet edhe më e komplikuar. Te goli i dytë menduam edhe për ndeshjen e së dielës, duke ruajtur energjitë e disa lojtarëve,” u shpreh Shehi.

Ai vlerësoi organizimin e Dinamos, duke e cilësuar si një skuadër të mirësinkronizuar dhe agresive në fazën sulmuese. Sipas trajnerit të Tiranës, pas minutës së 20-të u bënë disa rregullime taktike, por presioni i vazhdueshëm i Dinamos dhe ritmi i lartë i lojës krijuan vështirësi në ndërtimin nga prapa.

“Nuk është e lehtë të ndërtosh nga poshtë kur përballë ke një skuadër që e menaxhon mirë kohën e presionit. Vuajtëm në shpejtësinë e mbrojtjes, në tranzicion dhe në menaxhimin e presionit,” analizoi ai.

Shehi shtoi se aktivizimi i Xhixhës në majë të sulmit synonte të krijonte më shumë lëvizje mes linjave dhe të shfrytëzonte krahët për të hapur lojën. Megjithatë, sipas tij, Tirana hasi probleme në momentet kur kundërshtari zbriste me anësorët dhe e detyronte skuadrën të tërhiqej.

Në fund, trajneri i Tiranës pranoi se përballë një Dinamoje të organizuar mirë, gabimet dhe mungesa e ekuilibrit bënë diferencën në këtë çerekfinale.