Propozoi Konjufcën, Vetëvendosje: Osmani refuzoi nënshkrimet për ta rikandiduar për presidente
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Arbërie Nagavci, tha të mërkurën se partia në pushtet i kishte ofruar edhe presidentes Vjosa Osmanit nënshkrime për kandidaturën e saj për një mandat të dytë, por se ajo e kishte hedhur poshtë mundësinë.
Nagavci shtoi se kjo LVV-ja i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për t’ua siguruar garimin dy kandidatëve, por, “duke dashur të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe për një garë që u jep mundësi garimi edhe kandidatëve të tjerë”, ajo është e gatshme t’ua ofrojë nënshkrimet partive të tjera për një kandidat tjetër.
Më herët LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti e propozoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për president të Kosovës.
Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se për ta thirrur në seancë pr zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.
“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se kemi edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.